Politikë

Zgjedhjet e 11 majit/ KAS rrëzon kërkesën e PD për pavlefshmëri për qarqet Elbasan, Fier, Tiranë e Durrës

KAS ka vendosur që të quajë të vlefshme procesin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, në qarkun e Elbasanit, Tiranës, Durrësit dhe Fierit.

k.m.
Zgjedhjet e 11 majit/ KAS rrëzon kërkesën e PD për
Pamje nga mbledhja

TIRANË- Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka vendosur rrëzimin e kërkesës për shpalljen e pavlefshmërisë të zgjedhjeve në disa qarqe të vendit. KAS ka vendosur që të quajë të vlefshme procesin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, në qarkun e Elbasanit, Tiranës, Durrësit dhe Fierit. Pavarësisht kërkesës së Partisë Demokratike për rrëzimin e këtyre zgjedhjeve. Në mbledhjen e sotme, kërkesa u vlerësua si e pambështetur në ligj dhe në prova e për rrjedhojë, nuk do të ketë përsëritje të zgjedhjeve në këto katër qarqe. Teksa diskutohej për qarqet, kandidati i PD-së, Aulon Kalaja këmbënguli për rinumërimin e të gjitha kutive në qarkun ku ai garoi në listën e hapur nën koalicionin e Partisë Demokratike. 

“Ju i mbyllët kutitë. Unë do ndjek edhe rrugën në Gjykatën Kushtetuese. Ju morët vendim për t’i mbyllur kutitë, duhet të zbatoni ligjin, për atë jeni aty. Rinumërimi tregoi edhe nëpërmjet videove se pati tjetërsim vote. Ka video të tjera të kutive që nuk janë vendos për t’u hapur. Në mbledhjen e fundit më thatë këtu se po të gjendeshin shkelje, do rihapeshin edhe të tjerat,”-tha Kalaja. Por pretendimet e tij u rrëzuan me arsyetimin se me kutitë e hapura ishte parë trendi i votimit në qark.

Pas këtij vendimi, demokratët kanë 5 ditë kohë që t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor për të bërë ankimim dhe për të parashtuar pretendimet e tyre për pavlefshmërinë e zgjedhjeve.

Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, ku sipas rezultateve zyrtare siguroi 50 mandate. Demokratët e kanë cilësuar procesin si një farsë elektorale, të shoqëruar me manipulime, presion mbi votuesit dhe përdorim të strukturave shtetërore për qëllime politike. Ndaj edhe kanë nisur një valë ankimimesh pranë të gjitha instancave të KQZ-së. Sipas opozitës, zgjedhjet duhet të konsiderohen të parregullta dhe të zhvillohen sërish parakohe dhe nën "kujdesin" e një qeverie teknike./ZËRI

Poll

MOS HUMB