
TIRANË- Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka komentuar çështjen e çmimeve në Shqipëri. Në një prononcim të bërë për "SyriTV", Panariti analizoi se përse shqiptarët paguajnë ushqimet më shtrenjtë se qytetarët në Bashkimin Evropian. Panariti, në analizën e tij, theksoi se një ndër arsyet e rritjes së kostove të jetesës në Shqipëri janë paratë e pista që injektohen, të cilat pastrohen kryesisht në sektorin e ndërtimit.
“Një anomali kudo, pra rritja spekulative e çmimeve tek pasuritë e patundshme padyshim rrezaton në tërësi edhe në situatën e çmimeve është një rritje me induktim e çmimeve, kshu që padyshim gjërat janë të lidhura dhe prandaj kur flitet për të luftuar paranë e pisët, paranë që qarkullon jashtë linjave normale të qarkullimit parasë nëpërmjet sistemit bankar dhe që i shpëton edhe kontrollit fiskal, kjo para pastaj krijon një situatë anormale të çmimeve të cilat nuk i përgjigjen realitetit por janë të deformuara, sepse dikush kërkon të paratë në pasuri të patundshme. Dhe siç e përmendet kjo situatë rrezaton në një farë më mënyrë dhe në çmimet abuzive dhe në segmente të tjera të tregut,”-u shpreh Panariti në fjalën e tij.
Pak ditë më parë, Shqipëri u vendos në fund të listës për cilësinë e jetesës në Europë, sipas raportit më të fundit të platformës ndërkombëtare Numbeo për gjysmën e parë të vitit 2025. Me një vlerësim total prej 104.1 pikësh në indeksin e cilësisë së jetës, Shqipëria ka cilësinë më të ulët të jetës në kontinent për këtë vit, sidomos për fuqinë blerëse, çmimet e larta të apartamenteve në raport me të ardhurat dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor, ku jemi të fundit në Europë./ZËRI