Politikë

'Bankers' s’pagoi tatimet për 20 vite, Berisha: Gjatë periudhës tonë ka paguar çdo qindarkë

Sipas Berishës, Bankers ka paguar mbi 1 miliard euro në taksa gjatë 20 viteve.

F.I
'Bankers' s’pagoi tatimet për 20 vite, Berisha: Gjatë
Sali Berisha

TIRANË-Kryetari i Partisë Demorkatike, Sali Berisha, në fjalën e tij nga ambientet e SPAK është pyetur lidhur edhe me aksionin në kompaninë “Bankers Petroleum”. Kjo e fundit akuzohet se për 20 vite me radhë ka shmangur taksat duke i shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit, por Berisha i ka dalë në mbrojtje duke deklaruar se gjatë qeverisë së tij, ka paguar çdo qindarkë.

Konkretisht kreu i PD tha se kontrata me kompaninë është firmosur në kohën e Fatos Nanos dhe jo nga qeveria e tij.  Sipas Berishës, Bankers ka paguar mbi 1 miliard euro në taksa gjatë 20 viteve. Ish-kryeministri e cilësoi çështjen si një sulm të qëllimshëm për të larguar kompaninë dhe për t’ia dhënë të tjerëve me interesa të fshehura, duke akuzuar Prokurorinë për mashtrim.

Sali Berisha: Kontrata me Bankers Petrolium është e firmosur nga qeveria para qeverisë së PD. Një kontratë për hidrokarburet, e cila ka një klauzolë, nenin 18 që e mbron kompaninë, nuk lejon që të bëhen lëvizje të saj pa miratimin e kompanisë. Me gjithë këtë, qeveria e PD ka bërë më të jashtëzakonshmen, dhe më e jashtëzakonshmja ka qenë vendosja e rentës 10 përqind. Vendosja e rentës 10 përqind është disa herë më shumë se tatim fitimi. Renta vendoset mbi 10 përqind të shitjeve të përgjithshme dhe në raste të caktuara mund të arrihet në 50 përqind të fitimit. E para kjo, se nuk kishte rentë. Megjithatë t’ia njoh si meritë kompanisë që e pranoi si marrëveshje dhe nuk shkoi në arbitrazh sepse kishte një klauzolë. Sepse renta u vendos në kuadrin e një nisme të OKB për industritë nxjerrëse. Në atë kohë, Bankers ka qenë kompani joprivate, por publike e listuar në bursë. A e ka paguar? Po të garantoj që edhe më shumë, gjer në 200-250 milionë në vit gjatë kohës që kemi qenë ne në pushtet. Jo vetëm kaq, por ka paguar me detyrim taksën e karbonit që e shtuam, ka paguar, e them këtu, në vlerësimin tim, në mënyrë të padrejtë, ka paguar taksën e holluesit, të cilin e paguante dy herë. Njëherë kur injektohej dhe pastaj kur nxirrej. Po kryeministri nuk ishte ai që ishte sot dhe nuk i ndërhynte autoritetit tatimor. Tani të lutëm shunë, emra mos përmend këtu se këtu kanë vlerë shifrat. Ato kanë paguar qindra milionë dhe ata që mohojnë këtë, meritojnë tjetër gjë. Janë librat e tatimeve dhe nuk veprohet në këtë mënyrë se është banditizëm. Ajo ka qenë kompani publike kanadeze e listuar në bursë dhe ka pranuar dhe ka paguar rentën. Dhe renta e saj është e barabartë me 70 përqind të rentës të gjithë industrisë nxjerrëse në Shqipëri. Ajo ka paguar 1500 familje me rroga fare të mira dhe me sigurime shoqërore. Ajo ka paguar pagesën koncesionare që shkon në qindra milionë euro naftë për Albetrolin. Se çfarë ka bërë pas largimit tonë, nuk di unë. Por ata që duan të barazojnë, ata kanë interesa nga më të pistat në këtë aferë dhe ndaj sillen në këtë mënyrë. Gjatë periudhës tonë ajo ka paguar qindarkë për qindarkë. Ka pasur njëherë problem me taksën e karbonit, e kemi detyruar dhe e ka paguar. Dhe një gjë, është e turpshme që për interesa mafioze të bëhen skupe mediatike. Ju jeni gazetarë investigative, ju i keni tatimet e hapura, shkoni dhe merrni librat e tatimeve dhe shihni sa kanë paguar në mënyrë që të mos përdoret media si shpatë gjobëvënëse. Prokuroria ka bërë një deklaratë, unë u them shqiptarëve se për periudhën 2006-2013, prokuroria ka mashtruar në mënyrën më të turpshme sepse kompania ka paguar qindra milionë euro në periudhën që unë flas. Dhe ka paguar në atë periudhë 60-70 përqind të të gjithë rentës së industrive nxjerrëse në Shqipëri. Por kur ka prokurorë gjobëvënës si ai, që mashtron publikisht, është tjetër punë. Për periudhën tjetër, nuk di.

Në "Bankers Petroleum” u zbulua një skemë abuzimi, me miliona euro dëm në kurriz të shtetit shqiptar. Në kuadër të hetimit u lëshuan 14 masa sigurimi, 9 u ekzekutuan dhe 5 të tjerë u shpallën në kërkim. Zyrtarët akuzohen për veprat penale ‘fshehje të të ardhurave’, ‘pastrim parash’, ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘moskryerje detyrash nga organet tatimore’. Hetimet e Prokurorisë së Fierit kanë zbuluar se kompania shmangu detyrimet tatimore duke deklaruar humbje për 20 vite. Edhe pse 'Bankers' nga viti 2004 deri në 2024 eksportoi dhe shiti brenda vendit 532 mld lekë naftë, por ka deklaruar humbje për vite me radhë, duke shmangur tatimet. Ndaj edhe dëmi i dyshuar në buxhetin e shtetit përmes përfitimit fiktiv të TVSH-së llogaritet në miliona euro./ZËRI

Poll

MOS HUMB