
TIRANË- Teksa ishte duke u kthyer nga Vlora, aty ku edhe ndoqi nga afër aksionin për lirimin e hapësirave publike, kryeministri Edi Rama denoncoi një vendim të një prokuroreje për një ndërtim në Theth. Duke lexuar një pjesë të vendimit të marrë nga ajo për pushimin e hetimeve për një ndërtim në zonën e Thethit, kryeministri Rama lajmëroi se për rastin e hetuar nga prokurorja e Prokurorisë së Shkodrës, Elsa Gjeli ka kërkuar angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë. Madje shtoi se këtë çështje do ta përcjellë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
PJESË NGA FJALA E RAMËS:
Ky është Thethi pas një masakre të mirëfilltë nga një individ që rezulton i paarritshëm nga krahu i ligjit. Thethi që është kartolinë dhe është katandisur mu në zemër të tij, në një territor toke të zanun. Si ka mundësi? Si është e mundur që pasi Inspektoriati përkatës, e konstatojnë një ndërhyrje të tillë dhe e përcjellin rastin në prokurori, Prokuroria nuk shpall në kërkim të menjëherëshëm personin, por shpall mosfillimin e çështjes. Duke qenë se kërkova të kuptoj më shumë, u ndeshëm me një vendim të një prokuroreje. Zonja Gjeli. Më la pa fjalë. E ndava vendimin me disa të tjerë, por edhe reagimi i të tjerëve ishte pa fjalë. Po iu lexoj si arsyeton zonja Gjeli: Në lidhje me subjektin aktiv të veprës penale vlerësohet se në rastin konkret plotësohet ky element, ku Kodi Penal parashikon se ka përgjegjësi penale personi që në kohën e kryerjes së një krimi ka mbushur 14 vjeç. Absurdi, sapo ka filluar dhe unë po shkëpus vetëm një pjesë se janë një sërë çarçafësh. Sa i përket anës subjektive të kësaj figure krimi, ky element lidhet me qëndrimin psikik që mban personi kundrejt veprës së kryer prej tyre. Ana subjektive karakterizohet nga faji, që na e shpjegon dhe latinisht, në dy format e tij, dashjen dhe pakujdesinë. Si dhe nga motivet e qëllimet. Është e pabesueshme, deri në kufijtë e të llahtarshmes, që një prokurore që para trajtimit të një krimi mjedisor, ndaj pronës publike, të një krimi ndaj një zone ligjërisht të mbrojtur, të jetë në një jerm si ai që lexova që është pjesëz e një përroi psikik të pashtershëm në formë vendimi për mosfillim të çështjes penale. Një prokurore, para trajtimit të një krimi mjedisor, të një krimi ndaj një zonë ligjërisht të mbrojtur nga ligji specifik të përsiatet në një jerm si ai që ju lexova dhe është vetëm një pjesës e një përroi psikik të mosfillimit të çështjes penale. Ndërkohë që i gjithë ai komunitet njerëzish ndjehet i përdhunuar nga një indicid që mu në mes të Thethit ka ngritur fshatin e tij turistik, pa leje! Ndërkohë që për zonjën Gjeli kjo nuk përbën asnjë vepër penale. Nga ana tjetër duke qenë se kthehem nga Vlora, ku vazhdojmë punën që na obligon një mbështetje historike që kemi marrë. Po ju jap një tjetër fakt sesi na është bërë e pamundur që të zhvillojmë projektin "Vlora Sport" tek pylli i Sotës sepse një prokuror ka vënë në sekuestro, dhe mirë ka bërë, për falsifikim prone. Pronat shtetërore, por sekuestroja zgjat prej vitesh dhe të tilla ka plot. Unë i kam kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që të veprojë menjëherë ndaj zonjës Gjeli, e cila ka lënë në baltë shtetin, qytetarët dhe të gjitha ato struktura që përpiqen që të ruajnë kufinjtë e ligjit dhe është e padenjë për të qenë e paguar si prokurore. Kam kërkuar që çështja e saj ti përcillet Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Të gjykojë pastaj nëse zonja Gjeli është apo jo e denjë për t'u paguar nga taksat e shqiptarëve dhe ky është vetëm rasti i parë sa herë do të ndeshemi me prokurorë territoresh që paguhen më shumë sesa mjekët dhe mësuesit, dhe nga ana tjetër tradhëtojnë me paditurinë e tyre apo me qëllim, interesat e Republikës së Shqipërisë.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci ka ndarë foto nga ndërtimi pa leje, ku IKMT ka nisur prishjen.
"“Boll ma, tokë e xanun”, aksioni kombëtar i IKMT, Policisë së Shtetit dhe strukturave shtetërore i mbështetur edhe nga Policia Bashkiake mbërrin në Theth. T’i japim fund paligjshmërisë,"-shkruan Beci.
Po ashtu sot, kryeministri zhvilloi takim me drejtuesit e bashkisë Vlorë, ndërsa inspektoi lirimin e hapësirave publike në qytet. Ai kërkoi që prioritet të jenë qytetarët që ecin në këmbë. Deri tani aksioni ka nisur në Vlorë dhe Tiranë, por duket se po shtrihet në të gjithë vendin./ZËRI