
TIRANË-Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve u mblodh sot për vlefshmërinë e zgjedhjeve parlamentare në katër qarqe, Tiranë, Durrës, Fier dhe Elbasan. Mbledhja nisi me ankimimin e PD-së për qarkun e Elbasanit, ku opozita këmbëngul për parregullsi të theksuara dhe "trenin bullgar". PD kërkon shpalljen e pavlefshme të rezultatit të 11 majit dhe përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qark, pas hapjes së 94 kutive për verifikim të materialeve zgjedhore.
“Mungesë kodi sigurie të kutisë së fletëve të votimit, mospërputhje të kodeve të sigurisë, mospërputhje të shifrave të raportuara të fletëve të papërdorura. Në kuti votimi u gjetën tetë vota më pak se sa numri i zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votim. Në një tjetër qendër votimi u gjetën dy fletë votimi më pak se numri i zgjedhësve. Në këto qendra votimi, është konstatuar se ka pasur më shumë fletë votimi se zgjedhës që kanë marrë pjesë në votim, fletë të papërdorura ose të humbura, humbja e vulave të komisionit në QV-të si dhe humbja e listës fizike të zgjedhësve”, deklaroi fillimisht përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, duke pretenduar për parregullsi në 27 qendra votimi të qarkut Elbasan.
Përfaqësuesit e KQZ e rrëzuan pretendimet e PD-së, ndërsa deklaruan se do të ketë një konkluzion përfundimtar për këto kuti të verifikuara nga KAS-i dhe problematikat e gjetura apo të pretenduara në procesverbale dhe pamjet filmike.
Pasi u mbyll Elbasani, diskutimet kaluan tek qarku i Tiranës, ku PD kërkoi hapjen e 300 kutive të tjera, pasi ka pasur rritje të zgjedhësve që nuk kanë përdorur shenjën e gishtit për t’u identifikuar elektronikisht. Por anëtari i KAS, Elvin Lako, e kundërshtoi.
Me rihapjen e kutive, Partia Demokratike humbi më shunmë vota nga ç’kishte marrë më 11 maj. Lëvizjet e votave në Tiranë, për anëtarët e KAS ishin si rezultat i gabimeve njerëzore gjatë raundit të parë të rinumërimit, ndërsa për qarkun e Fierit u vu re një fenomen shqetësues, ai i tjetërsimit të votave brenda kandidatëve. Në Fier, rinumërimi i dha mandat me 10 vota diferencë Maldrita Bardhos, por e refuzoi, duke ia lënë karrigen Zegjine Caushit, e cila kishte fituar në raundin e parë të numërimit.
KQZ ka certifikuar përfundimisht rezultatet për 8 qarqet e tjera, ndërsa janë shpërndarë edhe mandatet. Vendimi u mor pasi Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankimimet e PD-së për këto qarqe, duke ezauruar të gjitha hallkat ankimuese për rezultatin./ZËRI