Politikë

Rama në Vlorë “inspekton” porositë! Më 9 korrik mbledh kryetarët e Bashkive

Kreu i qeverisë ka qëndruar rreth 50 minuta në bashkinë e Vlorës duke diskutuar me grupet e punës ku prezent kanë qenë deputetë, ministri Vengu dhe kreu i bashkisë Dredha.

F.I
Rama në Vlorë “inspekton” porositë! Më 9 korrik
Edi Rama

VLORË-Sot kryeministri Edi Rama është rikthyer në Vlorë për të “inspektuar” porositë që la disa ditë më parë kur vizitoi Bashkinë. Rama është pritur nga drejtuesi politik i qarkut Bledi Cuçi dhe kryetari i bashkisë Ermal Dredha. Ai shoqërohet dhe nga ministri i Mbrojtjes dhe deputeti Pirro Vengu, por edhe deputë të tjerë të qarkut. 

Kreu i qeverisë ka qëndruar rreth 50 minuta në bashkinë e Vlorës duke diskutuar me grupet e punës ku prezent kanë qenë deputetë, ministri Vengu dhe kreu i bashkisë Dredha. Më pas Rama ka dalë duke inspektuar në zonën e Muradies për hapjen dhe largimin e objekteve që kanë zënë hapësirat publike.

Ndërkohë, pas takimit në Vlorë kryeministri Edi Rama do të mbledhë kryetarët e Bashkive në vend më 9 Korrik. Takimi do të mbahet në një prej qyteteve bregdetare. Fokusi i takimit mësohet se do të jetë lirimi i hapësirave publike në zonat turistike, menaxhimi i plazheve, ndotja akustike dhe mjedisore, si dhe rritja e sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve për pushuesit vendas dhe të huaj.

Zhvillimet e fundit në Vlorë

Në qytetin e Vlorës nisi puna për pastrimin e qytetit dhe lirimin e hapësirave publike të lëna porosi nga kryeministri. Kreu i qeverisë la porosi se trotuaret duhet të lirohen brenda 48 orëve. Gjatë këtij afati kohor një aksion nisi nga Policia e Vlorës, ku larguan dhjetëra mjete që kishin zënë hapësira të paautorizuara në zona të ndryshme të qytetit. Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë” është liruar një hapësirë publike prej 300 metrash katrorë në lagjen  “Uji i Ftohtë”, ndërsa është proceduar penalisht administratori i subjektit që e kishte zënë me çadra, shezlongë dhe tavolina pa leje.

Nga ana tjetër Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, si dhe deputetët e zgjedhur të qarkut, të cilët kanë ndjekur nga afër punën e strukturave vendore dhe qendrore janë angazhuar në pastrimin e Pyllit të Sodës, si dhe zonës së Lungomares. 

Ndërkohë 21 drejtues të drejtorive të varësisë lokale në Bashkinë e Vlorës kanë paraqitur dorëheqjen pranë Kryebashkiakut Ermal Dredha. Rama ka kërkuar që deri më 15 korrik të përfundojë analiza për të gjithë drejtuesit, si dhe të jenë gati emrat konkretë për zëvendësimet, duke u bazuar edhe në propozimet që do të vijnë nga strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë.

Kreu i qeverisë kritikoi zyrtarët sa i përket problematikave të qytetit si; mungesa e ujit të pijshëm dhe problematikat e turizmit apo ato të mbartura në vite. Përveç shkarkimeve të të gjithë drejtorëve në Bashkisë Vlorës, Rama konfirmoi ndryshime edhe në strukturat e PS. Kandidati për deputet, i cili nuk hyri në listat fituese, Klevis Kaso, u emërua kryetar i PS në Vlorë, ndërsa deputetja Eriona Ismaili tashmë do të jetë bashkëkryetare e kësaj force politike.

Deri më tani, Tirana dhe Vlora janë dy qytetet e para që "skanohen" nga Rama, ndërsa nuk dihet nëse aksioni për sezonin do të shtrihet edhe në qytete të tjera turistike siç janë Durrësi, Kavaja, Lezha, Shkodra, Gjirokastra, etj./ZËRI

Poll

MOS HUMB