
SHKODËR- Prokuroria e Shkodrës ka reaguar pas komenteve të kryeministrit Edi Rama, i cili lexoi një vendim të një prokuroreje, që sipas tij ishte skandaloz. Lidhur me vendimin e marrë nga prokurorja Elsa Gjeli, Prokuroria e Shkodrës thekson se vendimi i datës 30 maj 2025 është marrë në përputhje të plotë me nenin 290 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas organit të akuzës në Shkodër, nga vlerësimi i fakteve dhe dokumentacionit proceduror rezulton se ndërtimi i konstatuar nuk përbën vepër penale, por ka natyrë administrative. Po në të njëjtën deklaratë, Prokuroia bën me dije se nga faktet që i ka referuar Policia e Shtetit, është bërë me dije se në terren ishin ngritur kontenjerë të përkohshëm pa themele betoni, të vendosur mbi pllaka guri, ndërtime që nuk kërkojnë leje ndërtimi, por vetëm deklaratë paraprake. Në fund të deklaratës së tyre, kërkuan nga kreu i qeverisë edhe respektimin e ndarjes së pushteteve.
"Çdo shqetësim institucional duhet të adresohet përmes rrugëve të përcaktuara ligjore, dhe jo përmes mesazheve politike publike që synojnë t’i imponohen sistemit të drejtësisë. Shteti i së drejtës nuk mund të funksionojë nëse prokurori frikësohet për çdo vendimmarrje të ligjshme që mund të mos përkojë me interesat e pushteteve të tjera,"-shkruhet ndër të tjera në vendimin e Prokurorisë.
REAGIMI I PROKURORISË SHKODËR:
Nisur nga deklaratat publike të bëra nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, ku është komentuar vendimi i një Prokurori të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, sqarojmë opinionin publik, si më poshtë vijon: Vendimi i datës 30.05.2025 i Prokurores zj.Elsa Gjeli është marrë në përputhje të plotë me nenin 290, pika ç të Kodit të Procedurës Penale, ku parashikohet se: “Procedimi penal nuk mund të fillojë kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston”.
Në rastin konkret, nga vlerësimi i plotë i fakteve dhe akteve procedurale, u konstatua se faktet e referuar nga policia e shtetit nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm në kuptim të nenit 199/a të Kodit Penal, për arsyen se:
Strukturat e konstatuara dhe që janë referuar nga policia kanë qënë kontenjerë të përkohshëm pa themele, të vendosura mbi pllaka guri, dhe si të tilla nuk përmbushin kriteret për të konsideruar objekt ndërtimi sipas standardeve të përcaktuara në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar. Vetë Policia, në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes është shprehur se, kontenjerët nuk janë vendosur mbi bazamente betoni, por kanë qënë të vendosura mbi rrasa guri të prera. Sipas nenit 7, pika 3, gërma “i” e VKM nr. 408, datë 13.05.2015, e ndryshuar, strukturat që instalohen për nevoja të çastit dhe/ose të përkohshme, pa themele dhe me materiale të çmontueshme, nuk kërkojnë pajisje me leje ndërtimi, por vetëm deklaratë paraprake. Vetë IMT, Bashkia Shkodër në shkresën e saj drejtuar Policisë Gjyqësore e ka klasifikuar faktin si kundërvajtje administrative, jo si vepër penale dhe në këto kushte duhet të kishin vepruar institucionet kanë në përgjegjësi menaxhimin e territorit. Në këto kushte, mungesa e elementit objektiv dhe pasojës penale, sipas analizës së zbatuar të ligjit, e bën të pamundur ngritjen e ndjekjes penale dhe Prokurori, si organ kushtetues i pavarur, ka detyrimin ligjor që të vlerësojë faktet në përputhje me ligjin. Në një shtet të së drejtës, pavarësia funksionale e prokurorit garantohet nga Kushtetuta dhe nga ligji nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Prokuroria është një institucion kushtetues i pavarur që vepron në përputhje me ligjin, ku çdo vendimarrje procedurale merret mbi bazën e fakteve dhe provave të administruara, dhe jashtë çdo ndikimi të jashtëm politik. Çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë direkte ose indirekte në vendimmarrjen e një prokurori cënon parimin e ndarjes së pushteteve të sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës.
Respektimi i ndarjes së pushteteteve është themel i funksionimit të shtetit demokrati dhe se ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv në proceset vendimmarrëse të insitucioneve të drejtësisë, qofshin ato edhe përmes komenteve publike, mund të përceptohen si presion mbi institucionet e drejtësisë dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në këto institucione. Vendimi për mosfillimin e procedimit penal nuk është një akt vullneti personal, por një akt ligjor, që mbështetet mbi rregullat themelore të të drejtës penale materiale dhe procedurale. Çdo shqetësim institucional duhet të adresohet përmes rrugëve të përcaktuara ligjore, dhe jo përmes mesazheve politike publike që synojnë t’i imponohen sistemit të drejtësisë. Shteti i së drejtës nuk mund të funksionojë nëse prokurori frikësohet për çdo vendimmarrje të ligjshme që mund të mos përkojë me interesat e pushteteve të tjera.
Nga ana tjetër Rama, për vendimin e prokurores Elsa Gjeli për mosfillimin e një procedimi penal lidhur me një rast ndërtimi në zonën e mbrojtur të Thethit, ka kërkuar ndërhyrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë./ZËRI