
MAT- Dhjetra banorë të Suçit kanë mësyrë sot në ambientet e Bashkisë së Matit, duke protestuar dhe kundërshtuar ndërtimin e hidrocentralit nga kompania ‘Global Interprise Group‘. Sot, banorët kërkuan pezullimin e ndërtimeve, kërkesë e cila iu pranua nga kryebashkiakia e komanduar, Valbona Kola. Më pas, banorët kanë kërkuar edhe nisjen e hetimeve, pasi pretendojnë se ka paligjshmëri në dokumentat dhe punimet që kërkon të kryejë kompania.
"Agron Malaj na premtoi me 15 gusht të 2020, 16 burra ishim në protestë, jam me ju tha. Por në shtator e ndryshoi pozicionin sepse u mbush nga firma, u ble nga firma dhe nga mafia. E kanë firmosur të gjithë,"-tha një nga protestuesit jashtë godinës së Bashkisë. Më pas, të gjithë bashkë u futën për të takuar kryetaren Kola, të cilës i listuan edhe njëherë të gjitha shqetësimet e tyre.
Banori: Ju thoni nuk keni peticion. Zonja kryetare, peticion më të madh se këto burra nuk ka. Zonja kryetare me 25.07.2020 është bërë një dëgjesë publike, ku ju keni qenë prezentë.
Valbona Kola: Për shkak të situatës së krijuar në mënyrë të befasishme nga ana juaj...dhe pa lajmëruar. Tërhiqemi sot nga takimi dhe bëhemi gati në një moment të qetë. Ndërkohë që punimet janë të pezulluara derisa ky takim të realizohet.
Banor tjetër: Ka thënë vetë Valbona se këto letra nuk janë të rregullta. Cënoni ujin e pijshëm, ujin e vaditjes, gjithë gjënë e gjallë. Kjo Bashki është e popullit, jo e maskrarenjve dhe hajdutëve.
Rezistenca e banorëve të fshatit Suç për ndalimin e ndërtimit të një hidrocentrali në zallin e “Lusës” ka muaj që zhvillohet. Madje, në protestën e fundit, bashkë me ta ishte edhe ish-kryebashkiaku i Matit, tashmë i zgjedhur deputet i Partisë Socialiste, Agron Malaj. Banorët janë të vendosur që të mos lejojnë avancimin e punimeve dhe shprehen se do ta mbrojnë me çdo çmim zallin e “Lusës”, duke e konsideruar atë si të vetmen alternativë që kanë ata për të vaditur tokat e tyre bujqësore. Nga protesta e tyre sot, banorët kanë siguruar edhe një takim me përfaqësues të kompanisë, por ende nuk ka një datë se kur do të zhvillohet. Në fund, i kërkuan kryebashkiakes mbështetje ose të lërë mandatin e saj nëse ndjehet e pafuqishme t’i mbrojë ata në këtë kauzë. Ndër të tjera, premtojnë se do të ndjekin ankesat e tyre në çdo rrugë ligjore./ZËRI