
TIRANË-Kryeministri Edi Rama gjatë takimit të radhës në Bashkinë e Vlorës, komentoi edhe zbatimin e urdhërit të dhënë nga vetë ai, për dorëheqjen e drejtorëve. Sipas tij, 21 drejtorët e kanë kuptuar që qyteti është mbi të gjitha dhe që janë të papërshtatshëm për atë detyrë. Kreu i qeverisë u shpreh se ndonjërit prej tyre mund t’i jepet mundësia në të ardhmen, ndërsa e cilësoi këtë hap, si të parin drejt një transformimi të thellë.
Edi Rama: Drejtorët e bashkisë e kanë kuptuar që qyteti është mbi të gjitha. Dhe që janë të papërshtatshëm për atë detyrë. Natyrisht që ndonjërit mund t’i jepet mundësia në të ardhmen. Drejtuesit, edhe ata rajonalë, kanë dhënë dorëheqjen dhe i falënderoj. Nuk do të ketë rikthim për dorëheqjet. Bashkia do të konfirmojë të gjithë dorëheqjet dhe kështu do të ndodhë me të gjitha institucionet e vendit e ato rajonale. Ky është vetëm hapi i parë i një transformimi të nisur dhe që bashkia e Vlorës do të jetë në një institucion për qytetarët dhe institucion i pagjumësisë. I ftoj të rinj e të reja të aplikojnë dhe ne do të jemi krah tyre. Një ristrukturim edhe në PS të Vlorës dhe Klevis Kason dhe Erjona Ismailin. Një parti që do të jetë e hapur për të gjithë dhe për të sjellë prurje të reja. Këtu nuk ka të majtë edhe të djathtë këtu tek ne, ka parazitë dhe njerëz që janë të gatshëm për t’i shërbyer Vlorës. Parazitët janë edhe të majtë edhe të djathtë ndërsa edhe këta që janë të aftë janë edhe të majtë edhe të djathtë, ne jemi me këta të dytët pavarësisht ngjyrimeve politike. Kjo është qasja që ne kemi zgjedhur dhe besoj se kjo qasje do të sjellë vetëm gjëra të mira të Vlorës.
Drejtorët që dhanë dorëheqjen janë:
1-Zambak Selmanaj, drejtor i Infrastrukturës dhe Urbanistikes;
2-Olsi Durrolli, drejtor i Përgjithshëm i Ekonomisë;
3- Dorjan Demiri, drejtor Përgjithshëm Juridik;
4- Kozma Mali, drejtor i Financave;
5- Jovan Jaupaj, drejtor i Aseteve;
6-Arlinda Tepelena, drejtore e Turizmit;
7-Dorjan Xhelili, drejtor i NSHP;
8-Francesko Tozaj, drejtor i Pastrimit;
9-Endri Rrokaj, drejtor i Gjelbërimit;
10-Anila Hitaj, drejtore e Shtëpisë së Foshnjës;
11-Irena Stasa, drejtore e Shërbimeve Sociale;
12-Elida Grabova, drejtore e Shtëpisë për Personat me Probleme Mendore;
13-Lorela Ballaj, drejtore e Shtëpisë se Fëmijëve me Aftësi të Veçanta;
14-Sokol Kananaj, drejtor i Tatimeve;
15-Ardian Vreshtazi, drejtor i Emergjencave Civile;
16-Sokol Toto, drejtor i Teatri;
17-Genci Demiraj, drejtor i Pallatit të Kulturës;
18-Laura Brinja, drejtore e Burimeve Njerëzore;
19-Igli Zahaj, drejtor i IMT;
20-Emiljano Ismalili, drejtor i Policisë Bashkiake;
21- Elona Merkaj, drejtore e Pallatit të Sportit.
Rama ka kërkuar që deri më 15 korrik të përfundojë analiza për të gjithë drejtuesit, si dhe të jenë gati emrat konkretë për zëvendësimet, duke u bazuar edhe në propozimet që do të vijnë nga strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë./ZËRI