Politikë

"Shkulen" kabinat e Prekë Kodrës në Theth, Rama: Do i marrë shteti!

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pasi këto kabina të hiqen nga aty, do t’i kalojnë në administrim shtetit.

k.m.
"Shkulen" kabinat e Prekë Kodrës në Theth, Rama: Do i
Pamje nga aksioni i IKMT

TIRANË- Menjëherë pasi Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi heqjen e disa kabinave të vendosura në Theth, Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish. Në rrjetet e tij sociale, Rama ka deklaruar se pasi këto kabina të hiqen nga aty, do t’i kalojnë në administrim shtetit. Edhe pse Prokuroria e Shkodrës pretendon se çështja u pushua për shkak se kabinat nuk kanë themele, Rama shton se Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e çështjes në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

POSTIMI I PARË I RAMËS:

Kjo është fusha e mrekullueshme e Thethit, ku një kriminel - që as nuk ka kurajon të shfaqet ndërkohë që IKMT po zbaton ligjin - ka hedhur betonin e dynjasë për të ndërtuar “fshatin e tij turistik” pa asnjë leje, një krim i shumëfishtë për të cilën një prokurore e quajtur ELSA GJELI, ka refuzuar të hapë çështjen duke hedhur në kosh denoncimin e Policisë së Shtetit. Tani çfarë borxhi i kanë zonjës GJELI, Republika e Shqipërisë, Parku Kombëtar i Thethit, banorët e mrekullueshëm e punëtorë të Thethit, vizitorët e turistët e shumtë dhe gjithë këto forca që kanë zbarkuar sot në Theth, bashkë me taksapaguesit shqiptarë që do të paguajnë tërë këto shpenzime për paga e për karburant, për pastrimin e kësaj katrahure dhe kthimin e qendrës së qytezës magjike në gjendjen e mëparshme?!

POSTIMI I DYTË I RAMËS:

Natyrisht që të gjitha kabinat e “fshatit turistik” të kriminelit që plagosi Thethin do i marrë shteti dhe skuadra e Bashkisë Shkodër nuk do të largohet nga Thethi pa e shëruar zemrën e qytezës magjike, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e skandalit “Gjeli” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. POR NA DOLI PROKURORIA E SHKODRËS me deklaratë duke mbajtur anën e Gjelit, me teorinë që ato ngrehina qenkeshin pa themele e ai liqen betoni në livadh qenkej i pafajshëm, kështu që Policia e Shtetit e paska pasur gabim që ka kërkuar ndjekje penale për autorin e asaj masakre. Deklarata e Prokurorisë Shkodër meriton një vëmendje të veçantë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sepse e zgjeron skandalin “Gjeli” duke hedhur hije mbi aftësinë e asaj prokurorie për të arsyetuar logjikisht, e jo më pastaj për të vepruar ligjërisht.

Pronari i vërtetë i këtyre kabinave është Prekë Kodra, i cili është shpallur në kërkim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB