
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka analizuar qëndrimin e komisionerëve të opozitës në Qendrat e Votimit në të gjithë vendin. I ftuar në emisionin "Çim Peka LIVE", Berisha u shpreh se tashmë e ka një ide më të qartë se përse u "dorëzuan" komisionerët e opozitës në qendrat e votimit. Sipas kryedemokratit, në momentin që sipas tij, komisionerët përballen me grupet kriminale, vetë ai nuk mund të kërkojë "llogari" tek ata që duhet të ishin garantë të votës për opozitën.
“Zoti Bushati, tani ajo që mund të them unë për zonat e karteleve nuk ka rezistencë, ta them unë, sepse aty të gjithë janë të dorëzuar sepse aty janë më të fuqishëm se qeveria dhe gjithçka tjetër. Ata kanë vetëm një gjuhë, bëje se të ikën koka. Ergys Agasi me Elvis Doçin kapnin njerëzit tanë dhe i kërcënonin. Është ky i Elbasanit, as që diskutohej. Dhe unë të them të vërtetën, në qoftë se ndaj një ministri, nuk do t’ia falja po t’i nënshtroheshe, këta janë vrasës në errësirë dhe ndaj tyre është ndryshe problemi. Nuk mund t’i fajësoj.
Tani, kur ke parasysh ti përpjekjet e Edi Ramës për të korruptuar njerëzit, janë të pakufishme. Një njeri që shkon në Korçë dhe e bën qëllim kryesor takimin me Ilir Vrenozin që është një demokrat vokal. Dhe kur ky shkon me qëllimin që edhe këtë zë të opozitës ta bëjë për vete... Krimi dhe organizatat kriminale janë më të fuqishme se çdo gjë tjetër në Shqipëri. Një qytetar nuk i bën dot kurrë karshillëk Elvis Doçit dhe Suel Çelës sepse është i pasigurt për jetën,”-tha Berisha./ZËRI