
SHKUP- Një shkollë për fëmijët shqiptarë është kthyer në një objekt përplasjesh dhe "vorbulla" ka kapur edhe ambasadorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidanin. Në vendin fqinjë, duket se ka nisur një përplasje që ende vazhdon, të paktën në rrjetet sociale, por edhe nën "të dukshmen" e politikës së ditës. ZËRI ka përmbledhur atë që ka ndodhur gjatë të paktën muajit të fundit në Nerovë, një fshat të Bashkisë Kriva Palanka. Më shumë se një muaj më parë, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës inspektuan dy objekte shkollore në fshatin Nerovë të komunës së Krushevës dhe sipas MASH-it, godinat nuk ishin në gjendje të mirë dhe duhej ndërhyrje për përmirësimin e kushteve. Por nuk bëhej fjalë për një shkollë të shtetit, por për një shkollë të ndërtuar nga kontributi i banorëve të zonës, në mënyrë që fëmijët e tyre të mësonin shqip. Nisma e banorëve të fshatit Nerovë për ndërtim të një objekti të ri shkollor erdhi pas ankesave të shumta për mos pasje të kushteve për mësim të mbi 120 nxënësve shqiptarë. Por banorët u ndaluan që të vazhdojnë punimet në objektin e ri që e ndërtuan me vetë kontributin e tyre, ndaj edhe dolën në protestë ndërsa fëmijët bojkotuan mësimin.
Edhe pse shkolla ishte e ndërtuar, për Ministrinë e Arsimit, godina ishin jashtë standardeve.
“Përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës inspektuan të dy objektet dhe aktualisht janë duke shqyrtuar opsionet për tejkalimin e sfidës, së bashku me komunën. Objekti ekzistues nuk është në gjendje të mirë dhe nevojiten ndërhyrje për përmirësimin e kushteve. Ndërsa sa i përket objektit të ri, Ministria nuk ka marrë pjesë në punimet ndërtimore dhe as nuk ka mbikëqyrur punimet, kështu që nuk do të mund të jepej pëlqimi për transferimin e fëmijëve atje, duke qenë se nuk dihet nëse janë respektuar të gjitha normat për ndërtimin e një objekti shkollor në të cilin nxënësit duhet të jenë të sigurt. Kjo do të përcaktohet më tej. Ne jemi duke komunikuar me komunën dhe do të njoftoheni,”-njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Pranë banorëve, për të dëgjuar problematikën e tyre shkoi edhe ambasadori shqiptar Denion Meidani, Denion Meidani i shoqëruar nga deputeti i zonës 5 nga Fronti Evropian, Musa Xhaferi, si dhe nga kryetari i Komunës së Dollnenit, Urim Ibeski. Në këtë takim, ambasadori dhe deputeti Xhaferi kishin premtuar se problemi me shkollën e Nerovës do të zgjidhej sa më shpejtë të jetë e mundur. Madje dhe në rrjetet sociale, banorët e falenderuan për ndihmën që i kishte ofruar.
Por çfarë bëri Meidani?
Në prani të banorëve, ai komunikoi drejtpërdrejt me zëvendëssekretarin për punë të përgjithshme në Qeveri, duke insistuar që çështja e shkollës të futet në rend dite të mbledhjes së ardhshme të ekzekutivit. Kjo ndërhyrje prodhoi rezultat konkret: Qeveria ka miratuar vendimin që hap rrugën për legalizimin e objekteve shkollore në Nerovë, duke lejuar regjistrimin e pronës shtetërore në të cilën ndodhen objektet arsimore dhe kalimin e saj në pronësi të Komunës së Krushevës.
Kështu, parcela ku ndodhen dy objektet shkollore do të futet në planin urbanistik dhe do i kalojë në pronësi Komunës së Krushevës. Pas kësaj, objektet do të legalizohen sipas procedurave përkatëse. Më tej, Ministria e Arsimit, në koordinim me komunitetin lokal, do të vendosë për mënyrën më të përshtatshme të organizimit të mësimit.
Por, kryemnistri Hristijan Mickoski ia atribuoi vetes meritat për zgjidhjen e problemit. Në deklaratat e tij publike, kryeministri "qortoi" edhe politikanët që sipas tij rrihnin gjoksin dhe që tentonin të manipulonin prindërit dhe që në deklaratat e tyre i jepnin ngjyrim etnik.
"Do të shkoj vetë për t’ua uruar këtë zgjidhje,"- deklaroi Mickoski, i pyetur nga mediat lidhur me sagën disamujore të shkollës, 120 nxënës të së cilës u ngritën në protesta pak muaj më parë.
“Qeveria pruri vendim dhe ne realizuam fjalën e dhënë. Ja kështu zgjidhen problemet, direkt. Qeveria pruri vendim dhe personalisht do të shkoj atje që t’ua uroj banorëve edhe qytetarëve… dhe ja si zgjidhen problemet e jo me porosi politike dhe keqpërdorim të ndjenjave të qytetarëve. Kështu zgjidhen punët. Merret vendim dhe gjendet zgjidhje, e jo si politikanë të caktuar të cilët i manipuluan ata. Pasi u mor vendimi dhe u zgjodh problemi, unë do të shkoj atje dhe do të mundohemi të bëjmë shkollë të mirë për nxënësit që do të arsimohen atje,”-shtoi kreu i qeverisë.
Pas kryeministrit, doli dhe ministrja e Arsimit, e cila vuri një afat për zgjidhjen e problemit, kryesisht në shkollën “Nikolla Karev”.
“Nga shtatori nuk besoj se do fillojnë në objekt të ri, në shtator ne do të mund t'u shtojmë dy klasa siç kërkonin në të kaluarën,”-deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Kishte një problem, u zgjidh!
Por politikanët në Maqedoninë e Veriut duket se nuk janë të kënaqur me profilin social të Medianit, duke nisur të paktën në rrjetet sociale, një sulm ndaj tij. Përfaqësues të ndryshëm të partive shqiptare e kanë akuzuar ambasadorin si person të afërt me Bashkimin Demokratik për Integrim, të drejtuar nga Ali Ahmeti.
Disa nga reagimet kundër tij:
Latif Arifi: Shqiponjat s'fluturojnë nëpër ceremoni të BDI-së, z. ambasador. Ato nuk zbresin në katin e propagandës. Krahët e tu, sado që i hap në foto, nuk të shpëtojnë nga e vërteta! Je kthyer në sorrë politike që imiton shqiponjën. Dhe kur thua "ju dua shumë", ndoshta e ke fjalën për strukturat e BDI-së, jo për shqiptarët.
Saranda Imeri Stafai: Shkolla ne Nerovë u legalizua nga Qeveria VLEN. Nuk e dij cfarë kontributi ka dhëne Ambasadori Mejdani qe po gllabëron meritat!?? Ku ishit deri tani?
Më ironik ishte kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i njëjti person që është hedhur në gjyq nga presidenti i Shtëpisë botuese “Onufri”, Bujar Hudhri për vjedhjen e librave të shkrimtarit tashmë të ndjerë, Ismail Kadare.
Kasami tallet me ambasadorin Meidani: Nuk e di nëse ka kërcënuar me bombë atomike
View this post on Instagram
"Është për t'u habitur sesi ambasadori e zgjidhi këtë problem. Nuk e di, ndërtoi objektin apo legalizoi tokën, apo e kërcënoi shtetin ndoshta me ndonjë armë bërthamore që pastaj shteti të marrë masa. Janë lojëra të ulëta. Edhe në këtë rast shkolla e Nerovës u zgjidh si rezultat i vullnetit të kësaj qeverie. U zgjidh pa shumë zhurmë dhe bujë. Kërkoj që BDI të mos vazhdojë të ëndërrojë dhe të shohë filma me heronj."
Në këtë pikë, kanë nisur reagimet edhe nga eksponetë të BDI-së. Nënkryetari i BDI-së, Bajram Rexhepi e ka cilësuar sulmin ndaj tij, si një sulm të të ashtuquajturës "bota serbe" ndaj shtetit shqiptar.
*Koncepi i "botës serbe"/ I pari që e ka përdorur termin “Bota serbe” nga ana e zyrtarëve shtetërorë serbë ka qenë Aleksandër Vulin, kur ishte ministër i Mbrojtjes i Serbisë, duke nënkuptuar një modifikim i idesë së 'Serbisë së Madhe', por me të njëjtin qëllim, bashkimin e serbëve.
Bajram Rexhepi: SULMI I "BOTËS SERBE" NDAJ SHTETIT SHQIPTAR!
Nëse një politikan shqiptar ka rënë aq poshtë sa të ironizojë dhe sulmojë publikisht përfaqësuesin e shtetit shqiptar, atëherë ai ka humbur jo vetëm busullën kombëtare, por edhe dinjitetin politik e njerëzor. Deklarata e sotme e Bilall Kasamit ndaj Ambasadorit të Shqipërisë, z. Denion Meidani, nuk është thjesht një lapsus i rradhës, por një akt i qëllimshëm, i ulët dhe skandaloz, që sulmon drejtpërdrejt shtetin shqiptar dhe përpjekjet e tij legjitime për të mbështetur komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Një akt i turpshëm që flet më shumë për panikun e tij personal dhe për gjendjen e mjerë në të cilën ndodhet VLEN dhe Qeveria, që vetëm disa ditë më parë në raportin e euro deputetit austriak Tomas Vajc u definuan si përkrahës të rrezikshëm të botës serbe dhe të ardhmes europiane të vendit. Jo Bilall, toka nuk legalizohet, as nuk shitet ashtu siç e shet ti në Tetovë, ndërsa paratë e qytetarëve i vendos në xhepin tënd. Legalizohet objekti, dhe kur bëhet fjalë për objekte publike dhe shkolla, çdo kontribut është për t’u përshëndetur, e jo për t’u ironizuar apo përbuzur. Aq më tepër kur në nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thuhet qartë: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.” Por këtë TI, dhe të ngjashmit si ti që funksiononi sipas logjikës së nënshtrimit, sigurisht që nuk mund ta kuptoni. Koha e hipokrizisë po mbaron. Po vjen koha e llogaridhënies, dinjitetit dhe përfaqësimit të drejtë për shqiptarët.
Në fund, pati një reagim nga vetë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe vetë ambasadori. Në një postim në rrjetet sociale, Ahmeti "tërhoqi veshin" e atyre që kishin kritikuar ambasadorin, duke u shprehur se çdo përpjekje për ta sulmuar ishte një shërbim për kauzat anti-kombëtare.
Ali Ahmeti: Ambasadori i Shqipërisë nuk ka vetëm një rol diplomatik formal, por një detyrim kushtetues dhe kombëtar për të mbrojtur interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen, përfshirë edhe jashtë kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë. Kjo nuk është çështje dëshire apo vullneti personal, por një obligim që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga misioni historik i shtetit shqiptar për të qenë pranë çdo shqiptari, pavarësisht nëse ndodhet në Shqipëri, në rajon apo në diasporë. Çdo përpjekje për ta sulmuar këtë angazhim, apo për ta interpretuar si ndërhyrje, është jo vetëm keqkuptim i qëllimshëm, por edhe një shërbim i drejtpërdrejtë ndaj kauzave antikombëtare. Shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë nuk janë ‘të huaj’ për shtetin shqiptar, ata janë pjesë e pandashme e kombit tonë dhe meritojnë kujdesin e plotë institucional.
Në të njëjtin postim, me një koment, Denion Meidani i shprehu mirënjohjen për fjalët dhe mbështetjen.
Denion Meidani: Faleminderit. Të përfaqësosh Shqipërinë do të thotë, para së gjithash, të jesh pranë shqiptarëve, jo si favor, por si detyrim i natyrshëm. Ajo ç’ka na lidh është më e madhe se gjeografia; është ndjenjë, përgjegjësi dhe përkatësi që na bashkon./ZËRI