
TIRANË- Brenda ditës u mbyll i gjithë procesi i rinumërimit të votave në qarkun e Durrësit. Rinumërimi kishte nisur që prej orës 09:00 të mëngjesit, në pallatin e Sportit “Farie Hoti” dhe për të gjithë ditën u hapën 154 kuti. Po ashtu, përveç votave të hedhura në Qendrat e Votimit brenda Shqipërisë, janë rinumëruar gjithashtu edhe 85 kuti të tjera, që i përkasin votave të Diasporës. Nga rinumërimi, Partia Demokratike humb 18 vota, ndërsa Partia Socialiste humb 5 vota. Vota kanë "fituar" vetëm koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet (5 më shumë); Aleanca Kombëtare Shqiptare (1); Mundësia (3) dhe Partia Socialdemokrate që doli me 1 votë më shumë.
Sa i përket votave preferenciale, nga të dhënat e KQZ, Ndoja rezulton se ka marrë 86 vota pa meritë, ndërsa Aulon Kalasë i janë shtuar 12 vota. Emri Vatës i janë numëruar gabim 56 vota. Nga socialistët, Arkend Balla ka marrë 55 vota pa meritë, ndërsa gjatë numërimit të parë, Alban Xhelilit i ishin hequr 26 vota.
Por pas përfundimit të procesit, kandidati demokrat për deputet në listën e hapur, Aulon Kalaja u shfaq i pakënaqur. Sipas Kalasë, KQZ kishte rënë dakord që në qarkun e Durrësit të hapeshin mbi 295 kuti, por ndërkohë që grupet e rinumërimit kanë rivlerësuar vetëm 154 prej tyre për shkak të një vendimmarrje të re.
“Këtu po zhvillohet një nga skandalet më të mëdha, që implikon në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe KQZ, jo vetëm me manipulimin e votave që kanë ndodhur gjatë procesit të 11 majit, por edhe me postmanipulimin. Sipas njoftimit të KQZ, tregohej se do të hapej një pjesë e madhe e kutive të Durrësit dhe 85 kuti për diasporën. Ne ishim përgatit për 295 kuti. Ndërkohë kanë marrë vendim të hapin 154 kuti. Kokoshi ngeli një thelë. Unë kërkova rinumërim të plotë. Tani KQZ ka vendos gjë tjetër sepse i kemi prishur pushimet, të gjitha tavolinat janë mbyllur. Kjo është një vendimmarrje absurde. Nuk janë të interesuar për manipulimin e votave. Jam krenar që më kanë vjedhur 11 vota. Unë nuk kam prekur asnjë votë. Ky është një skandal shumë i madh. Rezultatet që po dilnin do i detyronte këta të çonin njerëz në prokurori. Fieri dhe Tirana u hapën të gjitha, përse nuk ndodh kjo me Durrësin?,”- tha Kalaja.
Kështu, edhe në Durrës nuk ka asnjë ndryshim rezultati sa i takon subjekteve politike. Rinumërimi ka përfunduar edhe në Tiranë, ku nuk pati asnjë ndryshim mandati. Ndërsa në Fier, po. Për 10 vota më shumë mandatin e Zegjinë Çaushit, e mori Maldrita Bardho. Por megjithatë kjo e fundit hoqi dorë nga mandati, duke rikthyer sërish Çaushin në Kuvendin e Shqipërisë./ZËRI