
TIRANË-Pas takimeve dy ditore, si ajo në Vlorë dhe me strukturat e PS në Tiranë, kryeministri Edi Rama, njoftoi përmes një videoje në rrjetet sociale, se deputetët do të mobilizohen në të gjitha zonat me problematika në vend.
Rama paralajmëroi sot të gjitha bizneset e bar-kafeneve, apo edhe biznese të tjera, që të lirojnë hapësirat publike që kanë zaptuar me të pa drejtë. Ai iu drejtua edhe atyre që kanë vendosur edhe tra në truallin publik. Rama paralajmëroi edhe inspektorët e Bashkive dhe të IKMT-së që të mos mbyllin sytë përpara këtyre paligjshmërive, përndryshe do përballen me situata të papëlqyeshme.
Rama ka paralajmëruar të gjithë ata punonjës që kanë punuar duke fituar në dëm të shtetit dhe komunitetit, të bëjnë gati "plaçkat" dhe të largohen menjëherë nga puna.
Edi Rama: Takimet lidhur me muajin që kemi para dhe domosdoshmërinë që deputetët të rikthehen në territor për të mbledhur përfundimisht shqetësimet e qytetarëve, por në këto qytete me një fokus të veçantë tek hapësira publike. Është kthyer në një hapësirë ku ka shumë abuzim, zgjerim të paarsyeshëm të aktiviteteve të ndryshme, ka gjithfarëlloj trarësh dhe pengesa të krijuara nga koha, qe pengojnë frymëmarrjen e qytetarëve të lirë dhe komuniteteve në blloqet e banimit. Është bërë e papranueshme për shumë njerëz e lagje në qytetet e mëdha, ushtrimi i forcës, vullnetit abuziv dhe symbyllja e strukturave përkatëse, siç është krejtësisht evidente dhe e pajustifikueshme në Vlorë. Dua të sqaroj dhe një element tjetër, do i bëj thirrje atyre që kanë keqkuptuar prej vitesh, por kjo është çështje e pushtetit vendor, sensin e pronës së përbashkët dhe të asaj private dhe këtu kam parasysh zhvilluesit e pallateve, që pasi kanë ndërtuar pallatet dhe bashkë me ta edhe ata që kanë lokalet, kanë vazhduar ta trajtojnë pronën përreth si pronë private, dhe s’mund të jetë pronë private. Ju bëj thirrje atyre që zotërojnë të tilla asete, që nga trarët që vendosin për tu marrë lekë për parkim banorëve në mënyrën me abuzive duke pretenduar se është prona e tyre private.
Duhet të kemi inventarët e të gjitha këtyre kleçkave që ia kanë nxirë jetën banorëve në këto qytete që u kanë nxjerrë komuniteteve të moshuarve, prindërve, fëmijëve dhe që i kanë kthyer territore të tëra në ‘’tokë e xanun’’ në mënyrën më të padrejtë, që të bëhemi gati dhe në dy javëshin e dytë të korrikut, do të vazhdojmë pastaj, për të mos u ndalur më me të gjitha forcat e ligjit, me të gjitha inspektoratet, me të gjitha forcat e policive bashkiake dhe policisë shtetit për ta ngritur një herë mirë në hava këtë ‘’shtëpinë’’ tonë të përbashkët, njësoj siç amvisat ngrenë në hava shtëpinë, ku bëjnë atë pastrimin gjeneral të muajit dhe nga ana tjetër u bëj thirrje edhe një here, e përsëris, të gjithë atyre që janë të keqkuptuar, por që fatkeqësisht ia kanë dalë për një kohë jo të vogël që të bëjnë para’ dhe të bëjnë fitime në dëm të komuniteteve, që të fillojnë të mbledhin plaçkat. Fillojnë të mbledhim plaçkat, sepse boll është boll, boll është boll.
Kështu që duke shpresuar që edhe këta inspektorët e bashkive të IMT-ve, do të vrapojnë shumë këto dy javë që pastaj mos ballafaqohen dhe ata me faktet e syve të tyre të mbyllur, gjë që do t'i çojë në situata të papëlqyshme, edhe ligjore, po të jetë nevoja si dhe duke i kërkuar policisë shtetit, të vazhdojë të këmbëngulë në rritjen e vigjilencës për çdo ndërhyrje pa leje, i uroj të gjithëve një ditë mbarë dhe faleminderit gjithë atyre që më kanë çuar urime sot po kur vjen ajo, kur vjen prefiksi i gjashtë, mua më duket se s'është më nevoja për të bërë festa ditëlindjesh. Me të mirat e tërëve edhe të jeni të bindur që më e mira është e gjitha përpara.