Protestat që po zhvillohen prej më shumë se një muaji në Shqipëri kanë tërhequr vëmendje ndërkombëtare. Sipas BBC, Kryeministri Rama i cilësoi tubimet si një shenjë të një shoqërie demokratike dhe të shëndetshme. Media britanike thekson se protesta e cila nisi për Zvërnecin, doli në shprehjen e pakënaqësive për sistemin arsimor, shëndetësore, pagat dhe koston e jetesës.
Prej datës 31 maj, e deri më sot, në protestën e 4 Korrikut qytetarët numërojnë ditën e 35-të të tyre duke u mbledhur çdo mbrëmje ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.
Sipas BBC-së, gjatë një interviste të zhvilluar në zyrën e tij, pak para nisjes së protestave të mbrëmjes, kryeministri Edi Rama i cilësoi protestat si një shenjë të një shoqërie të shëndetshme dhe demokratike.
“E kam thënë që nga dita e parë: dua një drejtësi që nuk duket majtas, nuk duket djathtas, por duket drejt. Një drejtësi që nuk mund të blihet, nuk mund të ushtrohet presion dhe nuk mund të kontrollohet nga distanca”, deklaroi Rama.
Rama shtoi se reforma në drejtësi është një nga kontributet më të rëndësishme të PS-së për vendin. “Ky është kontributi më i madh që PS do t’i japë këtij vendi, sepse nuk do të kontribuojë vetëm duke bërë reforma, por duke i dhënë lëkurën e vet vendit”, u shpreh kryeministri.