IRLANDA-Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen nga Irlanda vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e zgjerimit.
“Shqipëria dhe Mali i Zi po vijojnë të përparojnë në procesin e zgjerimit. E mirëpres shumë mbështetjen tuaj të fortë për këtë proces, siç e keni përshkruar, të bazuar në meritë. Kjo mbështetje përfshin qëllimin për të përfunduar deri në fund të vitit negociatat e pranimit me Malin e Zi”,-deklaroi Von Der Leyen, shkruajnë mediat e huaja.
Von Der Leyen risolli në vëmendje vitin 2004, kur gjatë presidencës irlandeze të kohës u anëtarësuan njëkohësisht në BE dhjetë shtete, kryesisht ish-komuniste.
“Ne kemi çdo arsye për t’i besuar Irlandës në këtë, sepse, në fund të fundit, zgjerimi historik i vitit 2004 u realizua nën presidencën irlandeze të asaj kohe. Edhe vetë historia e Irlandës na kujton pse zgjerimi është një nga investimet më të zgjuara të Evropës. Kur Irlanda u bashkua me Komunitetin Evropian në vitin 1973, Prodhimi i saj i Brendshëm Bruto për frymë ishte rreth gjysma e mesatares evropiane. Sot, është afërsisht dyfishi i mesatares evropiane. Vështirë se ka argument më bindës për zgjerimin se ky. Irlanda gjithmonë ka pasur talent për ta kthyer ambicien në arritje. Jam e bindur se presidenca juaj do të bëjë të njëjtën gjë për Evropën”./ZËRI