Politikë

'Në protesta ka dorë Kremlini'! Ambasada ruse i përgjigjet Ballës dhe Gonxhes: Mos kërkoni armiq aty ku nuk ekzistojnë

Në një përgjigje të publikuar në rrjete sociale, Ambasada e Rusisë thekson se pretendime të tilla janë të pabaza dhe se Rusia zbaton me rreptësi parimin themelor të mos ndërhyrjes në punët e brendshme të një populli tjetër.

F.I
'Në protesta ka dorë Kremlini'! Ambasada ruse i
Blendi Gonxhja dhe Taulant Balla

TIRANË- Ambasada e Rusisë në Shqipëri ka dalë me një reagim pas deklaratave të kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dhe ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, të cilët pretendojnë se në protestat e qytetarëve është i përfshirë Kremlini.

Balla pretendoi ditën e djeshme gjatë fjalës ë tij në Kuvend, deklaroi se pas protestës qëndron jo vetëm Irani, por ka dorë edhe Kremlini. Po ashtu edhe Gonxhja gjaatë një interviste u shpreh me bindje se rusët janë një nga ndikimet më kryesore të provuara, përmes algoritmeve dhe gjithë prapaskenës së protestës. 

"Protestuesve në emër të Grupit të PS, dua të jem i drejtpërdrejtë. Pak ditë na ndajnë kur koha e dialogut me ju që kishit shqetësime reale po vjen. Arsyet e sinqerta të protestës jemi të gatshëm t’i dëgjojmë dhe të reflektojmë. Kam besim se qytetaria e flamengove do distancohet nga dhuna e elementëve kriminalë. Kush në Shqipëri nuk e beson dot që këtu është dorë e huaj që po paguan para për të destabilizuar Shqipërinë, duhet ta kuptojë qartë që këtu është jo vetëm Irani apo vende fqinje që s’duan ta shohin Shqipërinë të zhvilluar në turizë, por edhe Kremlini”,- tha Balla, gjatë seancës plenare të një dite më parë.

“Për rusët mund të them me bindje që janë një nga ndikimet më kryesore të provuara, përmes algoritmeve dhe gjithë prapaskenës që lidhet me gjithçka që ndodh virtualisht. Edhe me gjithë mënyrën se si instrumentalizohet një pjesë që mund të jetë më naive, që mund të jetë e ndershme dhe që mund të jetë e çiltër. Ka një pjesë të çiltër të protestës që mund ta instrumentalizosh. Nuk të manipulon në këtë lloj mënyre. Të merr imazhin e një proteste, ta gjeneron, ta rrit, ta zmadhon, ta ekzagjeron dhe ta jep në mënyra të ndryshme. Në ëarfare-in digjital është Rusia; ka qenë edhe Irani.”-tha Gonxhja, gjatë një interviste në Euronews.

Në një përgjigje të publikuar në rrjete sociale, Ambasada e Rusisë thekson se pretendime të tilla janë të pabaza dhe se Rusia zbaton me rreptësi parimin themelor të mos ndërhyrjes në punët e brendshme të një populli tjetër. Ambasada shprehet se deklaratat e Ballës dhe Gonxhes kanë ngjallur habi, pasi Moska gjithmonë respekton zgjedhjen e popullit dhe punon me qeverinë e zgjedhur në mënyrë legjitime. 

Deklarata e Ambasadës Ruse:

Deklaratat e Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë B.Gonxhja dhe Deputetit të Parlamentit të Shqipërisë, Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë T.Balla në lidhje me “përfshirjen e Kremlinit” në protestat, që po zhvillohen në vend, ngjallin habi. Pretendime të ngjashme po shohim edhe në një numër mediash nga gazetarë të caktuar. Këto deklarata janë krejtësisht të pabaza.

Rusia zbaton me rreptësi njërin prej parimeve themelore të politikës së saj të jashtme: parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të huaja. Moska gjithmonë respekton zgjedhjen e popullit dhe punon me qeverinë e zgjedhur në mënyrë legjitime. Ne i urojmë sukses dhe begati popullit shqiptar, pavarësisht koniunkturës së krijuar politike dhe nivelit aktual të marrëdhënieve.

Me keqardhje vërejmë se kjo nuk është hera e parë që politikanët shqiptarë janë përpjekur t’i imponojnë publikut vendas në mënyrë të pabazë idenë e të ashtuquajturit “ndikim dashakeq” të Rusisë. Ne bëjmë thirrje për një qasje më të përgjegjshme ndaj deklaratave të tilla dhe një përmbajtje nga kërkimi i armiqve aty, ku nuk ekzistojnë.

Poll

MOS HUMB