Politikë

Protestat/ Rama: Dështakë-zemërakë të ardhur nga të gjitha rrugët e jetës! Zvërneci është tokë private, Sazani, publike

Kreu i qeverisë sqaroi se Zvërneci është tokë private, Sazani është tokë publike, dhe ende nuk është mbyllur asnjë marrëveshje.

F.I
Protestat/ Rama: Dështakë-zemërakë të ardhur nga
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama nga podcasti i tij i përjavshëm “Flasim” ka komentuar sërish projektet në Zvërnec e Sazan, si dhe protestat e qytetarëve, të cilat kanë hyrë në muajin e dytë. Rama u ndal te vizita e tij në Bochum të Gjermanisë, ku deklaron se u përball me pyetjen për shitjen e tokave në Shqipëri. Kreu i qeverisë sqaroi se Zvërneci është tokë private, Sazani është tokë publike, dhe ende nuk është mbyllur asnjë marrëveshje. Sa i përket protestave, Rama i quajti qytetarët dështakë të cilët kanë krijuar një sitatë të dhunshme.

Edi Rama: U përballa me pyetje të tipit: "Si mund të privatizohet, të shitet toka publike?", gjë që as nuk ka ndodhur, as nuk ka arsye të ndodhë. Zvërneci është tokë private, Sazani është tokë publike, ku ende nuk kemi mbyllur marrëveshjen. Pikërisht sepse ne po negociojmë partneritetin dhe shteti, që do të jetë gjithnjë pronar i tokës, do të duhet, për t'u realizuar marrëveshja, të jetë ortak në sipërmarrje.

Pra, as nuk është kërkuar ndonjë shitje e tokës publike. Pastaj, gjithë pjesa që ka të bëjë me zonat e mbrojtura, me Kapitullin 27, me sa jemi ne të vetëdijshëm apo çfarë jemi ne në gjendje të sakrifikojmë deri edhe vetë Bashkimin Europian, për të bërë projektin, është një hata e madhe logjike. Ndërkohë që historia është fare e thjeshtë. Cilido që e ka shumë të qartë ose e ka pak të qartë faktin që unë jam këtu për të udhëhequr Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, faktin që ne kemi një mandat popullor shumë të fortë për të realizuar këtë mision historik, faktin që ky mision historik nuk është i krahasueshëm dhe i barazvlefshëm me asgjë, e ka shumë të qartë edhe faktin që nuk ka asnjë shans që Shqipëria të bëjë hapa, të bëjë zhvillime që bien ndesh me standardet dhe kriteret e Bashkimit Europian.

Ndërkohë që, nga ana tjetër, unë jam shumë i vëmendshëm dhe një ekip i tërë po dëgjon me shumë vëmendje gjithçka që duhet dëgjuar nga protesta e bulevardit, e cila ka dy shtresa: "ujin e rrjedhshëm" të të gjithë atyre që dolën sinqerisht dhe që janë sinqerisht të shqetësuar apo që kanë halle reale dhe "koren e zezë" të gjithë dështakë-zemërakëve të ardhur nga të gjitha rrugët e jetës, që kanë krijuar një situatë konvulsive ku janë shfaqur edhe elementët e pashmangshëm të dhunës në këto raste, pasi kur shkon pas Berihait, në fund të del përpara muri.

Poll

MOS HUMB