Politikë

"Prania Besnike"/ Rama njofton nisjen e diskutimeve: Buxheti 2027 do të prekë tavanin rekord të 10 miliardë eurove

Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama shprehet se takimet vijojnë ndërkohë që diskutohet buxheti i vitit 2027.

zh.ll
"Prania Besnike"/ Rama njofton nisjen e diskutimeve: Buxheti 2027 do
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa pamje nga takimi i përjavshëm mbi ecurinë e “Pranisë Besnike”. Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama shprehet se takimet vijojnë ndërkohë që diskutohet buxheti i vitit 2027.

Sipas kreut të qeverisë, buxheti do të prekë tavanin rekord të 10 miliardë eurove që do të ketë një rishpërndarje më tepër nga rritja e qëndrueshme e ekonomisë.

"MIRËMËNGJES dhe me punën që vijon me takimet e “Pranisë Besnike”, ndërkohë që po diskutojmë Buxhetin 2027, i cili do të prekë tavanin rekord të 10 miliardë eurove, për të rishpërndarë më shumë nga rritja e qëndrueshme e ekonomisë, ju uroj një ditë të mbarë", shkruan Rama.

Në vijim të videos shfaqen edhe diskutimet e ministrave dhe funksionarëve të PS-së në mbledhjen për "Praninë Besnike". Në diskutime janë përmendur disa prej prioriteteve që pritet të përfshihen në buxhetin e vitit 2027. Nga dyfishimi i pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, njohja e kontributeve shoqërore e shëndetësore për kujdestarët e tyre dhe aplikimi i një bonusi mujor për bebet, dhe deri të bujqësia.

Blendi Klosi: Bëmë një rakordim të pjesës teknike dhe tani kemi arritur në një platformë të përbashkët.

Niko Peleshi: Na duhet që ta institucionalizojmë në mënyrë të qëndrueshme sistemin e unifikuar, ku janë thuajse të gjitha qarqet e përfshira

Petrit Malaj: Sa i përket buxhetit të vitit 2027, është natyrisht buxheti më i madh. Këtë herë kemi kaluar edhe nivelin e 10 miliardë eurove. Sa i përket prioriteteve për 2027, do të kemi dyfishim të pagesave për fëmijët me aftësi ndryshe, kemi njohje të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët të fëmijëve.

Do aplikojmë për herë të parë duke nisur nga viti 2027 bonusin e bebeve, që do të paguhet çdo muaj. Këtë vit do bëjmë dhe përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat personale për shtresat në nevojë. Te Bujqësia do vijojmë edhe gjatë 2027 me programin e kompensimit të TVSH-së.

Skema e mbështetjes direkt të fermerëve parashikohet në rritje në masën 5.3 miliardë lekë, Shëndetësia do jetë në fokus të buxhetit. Kemi bërë rritje me rreth 1 miliard lekë për financimin e barnave e pajisjeve në shërbimin e kujdesit parësor dhe dytësor. Kemi përmbushur angazhimin e 2.35 përqind të PBB si nivel buxhetimi në mbrojtje. Për MPJ, ndër prioritetet kryesore është kompletimi i misionit që kemi në Bruksel.

"Prania Besnike" nisi me 4 shtator. Nisma është kërkuar nga kryeministri Edi Rama, me synim praninë e deputetëve pranë qytetarëve dhe evidentimin nga afër të problematikave në komunitet. "Prania Besnike" u njoftua nga vetë kreu i qeverisë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, duke deklaruar se kjo nismë do të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës dhe do të bëhet gjithmonë për sa kohë ai do të jetë kryetar i Partisë Socialiste./ZËRI

Poll

MOS HUMB