Politikë

Yeffet, Puca dhe Veliu në 'lupën' e SPAK, Ministria e Mbrojtjes u heq taksat e armëve, çfarë parashikon ligji i ri

Përjashtim ka edhe nga taksa doganore, madje bizneset e armëve nuk do të paguajnë më asnjë taksë lokale për ndërtesat apo aktivitetin e tyre.

F.I
Yeffet, Puca dhe Veliu në 'lupën' e SPAK, Ministria e
Ardi Veliu, Arjeta Puca dhe Ron Yeffet

TIRANË-Teksa SPAK ka nisur një hetim pas dyshimeve për trafik ndërkombëtar armësh me në fokus kompaninë KAYO, me administrator Ardi Veliun dhe TIMAK, me aksionerë kryesorë Arjeta Pucën dhe biznesmenin izraelit Ron Yeffet, Ministria e Mbrojtjes nga ana tjetër ka propozuar një projektligj për t'u hequr taksat subjekteve për Prodhimin dhe Tregtimin e Armëve, Municioneve, Pajisjeve dhe Teknologjive Ushtarake.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 87/2024 "Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake" është hedhur sot për konsultim me afat deri më 3 nëntor 2026. Drafti ndryshon ligjin ekzistues për industrinë ushtarake, ku propozohet heqja e plotë e çdo detyrimi që rëndon mbi armët e prodhuara apo të tregtuara nga këto subjekte, nga shitja, importin e mallrave, makinerive apo pajisjeve që përdoren për prodhimin e tyre. 

Konkretisht në Nenin 6, thuhet se subjekti i licencuar në industrinë e prodhimit të armatimit ushtarak në Republikën e Shqipërisë, i cili është KAYO sh.a. përfiton tatim-fitimi zero, për 10 vitet e para pas fillimit të aktivitetit. Po ashtu përfiton përjashtim nga tatimi mbi vlerën e shtuar për importimin e mallrave, makinerive dhe pajisjeve. 

Përjashtim ka edhe nga taksa doganore, madje bizneset e armëve nuk do të paguajnë më asnjë taksë lokale për ndërtesat apo aktivitetin e tyre. Ky projektligj prek dretëpërdrejt edhe TIMAK DEFENCE, e krijuar nga TIMAK dhe KAYO sh.a.

Yeffet, Puca dhe Veliu në 'lupën' e SPAK, Ministria e
pjesë nga drafti

Teksa ligji me ndryshimet e reja ka afat deri në 3 nëntor për konsultime, SPAK ka sekuestruar telefona, kontrata dhe dokumente të lidhura me kompaninë shtetërore KAYO.  Aksioni është shtrirë edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ku mësohet se janë sekuestruar disa kontrata dhe dokumente, të cilat tashmë janë në dispozicion të hetuesve të SPAK. Gjithashtu, burime bëjnë me dije se është sekuestruar edhe telefoni i Aleks Markut, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.

Biznesmeni amerikano-izraelit Ron Yeffet është në qendër të hetimit, në kuadër të denoncimve të  bëra pak javë më parë nga ish zv/kryeministri në arrati Arben Ahmetaj, i cili aludonte për trafik armësh dhe afera të tjera të biznesmenit me kompaninë publike KAYO.

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB