STRASBURG- Komisioni Evropian ka miratuar një paketë mbi rishikimet e politikave para zgjerimit me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Në dokumentin zyrtar të publikuar nga KE, thuhet se vendet që do të anëtarësohen në Bashkimin Europian do të monitorohen edhe pas anëtarësimit, me mekanizma të rinj që synojnë të garantojnë respektimin e angazhimeve të marra për shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të drejtat themelore.
Në rast të shkeljeve serioze të vlerave themelore të Bashkimit Europian ose të parimit të bashkëpunimit të sinqertë, Komisioni propozon që të mund të merren masa si pezullimi i fondeve europiane ose, në rastet më të rënda, pezullimi i të drejtës së votës së shtetit anëtar në Këshillin e Bashkimit Europian.
Komisioni propozon që vendet kandidate të mos presin anëtarësimin për të përfituar nga Bashkimi Europian, por të marrin pjesë gradualisht në politika dhe programe europiane, sapo të përmbushin kushtet.
"Integrimi gradual nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotë. Ai është përshpejtuesi i zgjerimit. Ai është një urë midis nevojës gjeopolitike për të stabilizuar kontinentin tonë dhe ndjekjes së një zgjerimi të bazuar në merita. Integrimi gradual do të kërkojë dy përbërës kyçë: përparim në reformat e vendeve kandidate dhe përafrim strategjik. Dhe kjo është risia. Sapo vendet kandidate të përmbushin standardet, ato duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në sektorë strategjikë ku ka përfitime të qarta për të dyja palët për shtetet aktuale dhe të ardhshme anëtare, si energjia, transporti, inteligjenca artificiale, siguria ose mbrojtja,"- u shpreh Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos.

Marta Kos doli me dy kushte kryesore për vendet kryesore drejt antarësimit ku bën pjesë edhe Shqipëra: përparimin e vendeve kandidate në reformat e kërkuara dhe përafrimin e tyre strategjik me Bashkimin Europian. Konkretisht për Shqipërinë, Malin e Zi, Moladvinë dhe Ukrainën, Komisioni do të paraqesë në paketën e zgjerimit të vitit 2026 një udhërrëfyes orientues ("roadmap"), që do të përcaktojë prioritetet dhe hapat e mëtejshëm të negociatave, nëse vendi vazhdon me ritmin e reformave.
"Ne kemi identifikuar katër vende kryesuese. Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina. Këto vende kanë treguar përparim të konsiderueshëm sa i përket gatishmërisë gjatë viteve të fundit. Në raportet e zgjerimit që do të publikohen në fund të tetorit, më 28 tetor, ne synojmë të paraqesim udhërrëfyes tregues për këto vende. Ne duam t'i ndihmojmë ato të ruajnë përparimin në reforma dhe këta udhërrëfyes do të përcaktojnë hapat e ardhshëm. Ato do të përmbajnë afate kohore orientuese dhe rezultate të qarta që duhet të arrihen. Kjo do të na sigurojë më shumë parashikueshmëri në rrugën drejt anëtarësimit. E rëndësishme, kjo rrugë do të vazhdojë të bazohet në arritjet individuale të vendeve kandidate. Nuk do të ketë rrugë të shkurtra"-tha Kos.
Një pikë tjetër e rëndësishme e paketës është edhe buxheti. Para anëtarësimit, vendet kandidate do të financohen përmes instrumentit Global Europe, i cili do të ofrojë grante, kredi, garanci buxhetore dhe asistencë teknike, të përshtatura sipas nevojave të secilit vend, ecurisë së reformave dhe interesave strategjike të Bashkimit Europian.
Ndërsa negociatat afrohen drejt përfundimit, Komisioni do të hartojë për secilin vend një paketë financiare të posaçme, që do të përcaktojë kalimin nga fondet e para-anëtarësimit te fondet e plota të Bashkimit Europian./ZËRI