Politikë

Reforma territoriale/ Braçe: Votoj kundër, është vizatim harte...nuk u konsultova, vetëm një mbledhje u zhvillua

Socialisti shprehet se nuk janë kryer diskutimet rreth reformës dhe asnjë nuk ka ndarë informacione, ndërsa deklaron se është zhvilluar vetëm një mbledhje.

F.I
Reforma territoriale/ Braçe: Votoj kundër, është vizatim
Erion Braçe

TIRANË-Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka theksuar se i qëndron vendimit të tij për të votuar kundër projektligjit të PS lidhur me Reformën e re Territoriale, e cila u miratua në parim në Komisionin e Ligjeve, një ditë më parë (5 tetor). Me anë të një video të gjatë në rrjete, Braçe ka sqaruar arsyet pse vota e tij ishte kundër, duke nënvizuar se mungonte konsultimi për reformën. 

Sipas tij është një reformë e rëndësishme, por shprehet se drafti është 'vizatimi i një harte të re administrative territoriale', duke pretenduar se nuk jep garanci për një reformë të plotë të pushtetit vendor me qëllim përmirësimin e qeverisjes. Socialisti shprehet se nuk janë kryer diskutimet rreth reformës dhe asnjë nuk ka ndarë informacione, ndërsa deklaron se është zhvilluar vetëm një mbledhje, duke iu referuar asaj të një dite më parë dhe pr.ligji do të votohet në Kuvend.

"Është koha që Qeveria t’i japë jetë decentralizimit dhe autonomisë në territor, të mendojë dhe të bëjë transferimin më të madh të pushtetit, kompetencave, funksioneve, tatimeve e taksave dhe buxheteve tek pushteti vendor. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, që kur këto parime u vendosën në Kushtetutë,"-shkruan deputeti krahas videos së tij.

Braçe po ashtu ndalet edhe tek prezenca në Komision, ku shprehet se një e treta e deputetëve mungonin, ku kryeministri, zv.kryeministrja dhe gati gjysma e qeverisë mungonte gjithashtu.

Erion Braçe: Unë nuk e mohoj nevojën për një reformë të plotë të pushtetit vendor, me fokus mirëqeverisjen në shërbim të qytetarëve. Por ama një reformë, jo vizatimin e një harte të re administrative territoriale. Projektligji që është në diskutim bën vizatimin e një harte administrative-territorial dhe nuk jep garanci për një reformë të plotë të pushtetit vendor me qëllim përmirësimin e qeverisjes në këtë nivel. Diskutimi të paktën me ne deputetët ka qënë thuajse inekzistent. Ne kemi zhvilluar vetëm një mbledhje dje për këtë çështje, kemi zhvilluar disa grupe të përbashkëta mes grupit parlamentar dhe qeverisë por në asnjërën prej tyre nuk kemi ndarë informacion, nuk kemi bërë pyetje, nuk kemi marrë përgjigje dhe nuk kemi bërë diskutim për këtë. Ka patur vetëm një mbledhje që është bërë dje, tre ditë para se pr.ligji të votohet në Kuvend, dhe ishte një mbledhje ku një e treta e deputetëve mungonin, ku kryeministri, zv.kryeministrja dhe gati gjysma e qeverisë mungonte gjithashtu. Kjo është reforma më e rëndësishme ndaj serioziteti dhe pjesëmarrja në diskutim duhet të ishte i qenësishëm.

Projekligji i PS synon të ketë më pak bashki, por me territore më të mëdha, ku brenda tyre do të ketë qytete dhe njësi administrative që do të menaxhojnë më afër shërbimet për banorët. Sipas draftit, propozohet bashkimi i 15 bashkive dhe Shqipërisë i shtohen edhe 6 qytete: Kastrati, Bushati, Ulza, Krasta, Miloti dhe Golemi.

Poll

MOS HUMB