TIRANË-Ministri i Bujqësisë, Andis Salla i pranishëm në Komision Parlamentar për Bujqësinë dhe Zhillimin Rural, njoftoi se nga 3 shtatori 2026 ka nisur zbatimi i ndryshimeve të reja europiane për importet nga Brazili, duke mos lejuar importin e mishit të gjedhit dhe mishit të shpendëve. Ministri deklaroi se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer mbi 68 mijë inspektime gjatë këtij viti me qëllim rritjen e sigurisë ushqimore si dhe ka orientuar kontrollet në bazë risku.
Gjatë fjalës së tij në Komision, Salla deklaroi se gjatë monitorimeve u konstatuan gjatë periudhës janar-gusht dy raste mishi pule të importuar nga Brazili me mbetje substancash veterinare, ku njëra prej sasive ishte treguar përpara se të mbyllej verifikimi. Salla theksoi se pavarësisht se deri më tani është ndaluar importi nga ky shtet për mishin e gjedhit dhe të shpendëve, po vlerësohet me kujdes edhe importi i mishit të derrit.
Andis Salla: Në zbatim të planit të monitorimit të mbetjeve për produktet shtazore të importuara nga vende të treta, gjatë vitit 2026 janë marrë 44 mostra; 30 prej tyre ishin produkte nga Brazili, përkatësisht 22 mostra mishi pule dhe 8 mostra mishi derri. Në dy raste të mishit të pulës nga Brazili gjatë periudhës janar–gusht janë konstatuar mbetje substancash veterinare. Në njërin rast, sasia ishte e bllokuar dhe e izoluar në mjediset frigoriferike të operatorit; të dhënat e kontrollit tregojnë se ajo nuk kishte dalë në treg. U njoftuan sistemet RASFF dhe INFOSAN dhe produkti u kthye në vendin e origjinës. Në rastin tjetër, produkti ishte tregtuar përpara përfundimit të verifikimit; u kërkua gjurmimi dhe njoftimi i klientëve dhe u morën masat administrative përkatëse. Për importet nga Brazili, nga 3 shtatori 2026 janë zbatuar ndryshimet që lidhen me listimin evropian për mishin e gjedhit dhe të shpendëve.
Shqipëria ka ndaluar importet e mishit nga Brazili prej muajit shtator. Nga të dhënat rezulton se Brazili është furnizuesi kryesor me mish viçi, derri, lope dhe pule për Shqipërinë, ku vetëm këtë vit, nga janari deri në korrik, janë importuar 28 mijë tonë mish dhe të brendshme.