TIRANË- Deputeti socialist Erion Braçe gjatë një interviste për Report TV ka folur për reformën e re territoriale duke shpjeguar arsyet e qëndrimit të tij dhe votës kundër projektligjit.
Braçe u ndal te mënyra se si është zhvilluar procesi i diskutimit të reformës duke thënë se deputetët e grupit parlamentar socialist janë njohur me përmbajtjen e saj vetëm pak ditë përpara votimit.
“Është shumë vonë, 3 ditë para se të votohet. Hera e parë që bëhet një diskutim me grupin e PS. Jemi mbledhur disa herë dhe s’kemi marrë asnjë rresht informacion për këtë reformë”, u shpreh ai.
Deputeti socialist foli gjithashtu për përcaktimin e kufijve të disa bashkive dhe mënyrën se si, sipas tij, duhet të ndërtohet një reformë territoriale.
“Reformën e mbajnë në këmbë parimet, jo votat. Nëse reforma është e drejtë dhe u qëndron parimeve, i ka votat aty”, deklaroi Braçe.
Gjithashtu deputetu Braçe iu përgjigj edhe deklaratës së Taulant Ballës lidhur me deputetët që nuk e mbështesin reformën dhe referimin e tyre te rregullorja e Partisë Socialiste.
“Mua nuk më përjashton dot nga PS ky djali apo cilido tjetër që më ka gjetur në PS! Kam qenë atje kur kanë ardhur në PS! I kam mbështetur sa s’ka ku të shkojë më, janë bërë ministra dhe më tregojnë mua rregulloren!”, tha Braçe.
Braçe bëri të ditur se qëndrimi i tij nuk lidhet me kundërshtimin e reformës territoriale në parim. Sipas tij, një reformë e tillë duhet të shoqërohet me më shumë kompetenca dhe financim për pushtetin vendor./ZËRI