BRUKSEL- Teksa Shqipëria pritet të avancojë më 13 tetor drejt mbylljes së përkohshme të Kapitullit 20 të negociatave me Bashkimin Evropian, në Bruksel ka nisur sot shqyrtimi teknik i këtij kapitulli.
Mësohet se sot, që prej orës 09:00, është mbledhur grupi i punës COELA për të shqyrtuar Kapitullin 20 “Sipërmarrja dhe Politika Industriale” me Shqipërinë. Bëhet fjalë për një takim, qëllimi i të cilit është harmonizimi i qëndrimeve dhe konsolidimi i një pozicioni të përbashkët mes 27 vendeve anëtare të BE-së.

Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, Shqipëria e ka përmbushur kriterin përkatës, i cili kërkon zbatimin e strategjive industriale dhe politikave për ndërmarrjet e vogla e të mesme në linjë me standardet e BE-së (acquis). Tashmë pritet që vendet anëtare të japin dakordësinë përfundimtare, përpara se çështja të kalojë në COREPER.
Pas COELA, dosja kalon për miratim ambasadorëve në COREPER dhe më pas formalizohet Konferenca Ndërqeveritare për mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20.
Më 13 tetor pritet të zhvillohet Konferenca e radhës Ndërqeveritare BE-Shqipëri, ku do të shqyrtohet mbyllja e përkohshme e Kapitullit 20. Deri tani, Shqipëria ka mbyllur përkohësisht tre kapituj të negociatave. Më 14 korrik 2026 u mbyllën: Kapitulli 25, “Shkenca dhe kërkimi”, Kapitulli 26, “Arsimi dhe kultura”, dhe Kapitulli 30, “Marrëdhëniet e jashtme”./ZËRI