TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë një propozim ligjor për të rregulluar tregun e institucioneve që japin kredi. Në një video të postuar në rrjetet e saj sociale, Tabaku ka theksuar urgjencën për të mbrojtur konsumatorët dhe pronat e tyre nga abuzimet në këtë sektor. Ndër të tjera, demokratja bën me dije se ajo dhe ekipi i saj kanë përgatitur një draft ligjor që përafron rregulloret e Bashkimit Evropian me legjislacionin shqiptar, duke synuar standarde më të larta për mbrojtjen e konsumatorëve.
Propozimi përfshin masa konkrete për të siguruar:
• Informim të plotë dhe të qartë për konsumatorët në lidhje me kushtet e kredive.
• Mbrojtjen e pronës dhe të ardhurave të konsumatorëve nga abuzimet.
• Forcimin e mbikëqyrjes dhe standardeve në sektorin bankar dhe financiar.
“Viti 2024 do mbahet mend nga të gjithë dhe për skandalin e mikrokredive. Mijëra konsumatorë të kredive të vogla, të kredive që merren shpejt, fatkeqësisht u ndodhën përpara një skeme piramidale, një skeme korruoptive që i detyroi ato të vendosin në rrezik dhe pronën e tyre. Fatkeqësisht pati dhe humbje jetësh.Partia Demokratike i propozoi Kuvendit të Shqipërisë, ngritjen e një grupi pune për të marrë masa që kjo të evitohej në të ardhmen, që të evitohej fakti që konsumatorët të liheshin në mëshirë të fatit dhe të mos kishte mbrojtje për kreditë e tyre, të mos rrezikohej prona e tyre. Pritëm për thuajse 6 muaj dhe kur kjo nuk ndodhi kemi arritur që të përafrojmë të gjithë rregulloren e Bashkimit Europian për ta përshtatur atë me legjislacionin shqiptar. Mbrojtja e konsumatorit në sektorin bankar dhe ky është pikërisht propozimi që jam duke dorëzuar, për të pasur standarde më të mira për të mbrojtur konsumatorët , për ti siguruar atyre informacion por edhe për ti siguruar atyre mbrojtjen e pronës së tyre. Kjo elementi më i rëndësishëm. 1700 prona u sekuestruan,në pikëpyetje u vunë pronat e pothuajse 100 mijë qytetarëve me një skemë korruptive të paparë më parë dhe cfarë bëri shteti, cila ishte përgjigjja e shtetit? Zero, asnjë përgjigje.Për të evituar që kjo të ndodhë në të ardhmen unë besoj që konsumatorët në sektorin bankar kanë nevojë për mbrojtje maksimale për pronën e tyre, për të ardhurat e tyre, kanë nevojë për mbrojtje me standarde europiane për të gjithë pasurinë e tyre,”- u shpreh Tabaku.
Prej muajsh tashmë, ZËRI ka denoncuar, denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve kredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija, përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Ky skandal, deri më tani ka marrë 2 jetë njerëzisht. Njëri ishte Pal Trashaj, i cili u vetëflijua para ambienteve të SPAK, ndërsa nga një godinë në ndërtim u hodh Olsi Ibro, i cili ishte një nga pronarët e MCA./ZËRI