TIRANË- Nga 21 tetori, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë nga qelia vetëm për të shkuar në Gjykatë. Për herë të parë për këtë vit, Meta do të paraqitet nën masa të rrepta sigurie në ambientet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Atje, nga ora 10.00 e mëngjesit, politikani do të merret në pyetje.
Menjëherë pas publikimit të lajmit, Meta ka gjetur mënyrën për të 'komunikuar' me ndjekësit në rrjetet e tij sociale. Në postimin e bërë, Meta ka përcjellë mesazhin për mbështetësit e tij, duke bërë me dije gjithashtu se është gati që t'u përgjigjet edhe pyetjeve të gazetarëve.
"Sapo mësova nga mediat e regjimit, që nesër unë, lideri i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend, qenkam thirrur për t'u pyetur nga organizata kriminale SPAK, e cila firmosi rrëmbimin tim të paligjshëm dhe banditesk. Padyshim që do jem atje për t'i marrë unë në pyetje dhe pas kësaj seance jam i hapur për çdo pyetje nga mediat që do të jenë të pranishme,"-shkruan Meta.
Kreu i Partisë së Lirisë u vu në pranga më 21 tetor teksa po kthehej nga Kosova. Ai kishte planifikuar të mbërrinte në selinë e Partisë së Lirisë ku do të mbante një konferencë me gazetarët, por në hyrje të Tiranës, u ndalua nga efektivët e Policisë që i vunë prangat. Për eksponetët të Partisë së Lirisë, dhuna e Policisë ishte e pajustifikueshme, ndërsa për Policinë e Shtetit ishte e nevojshme pasi hasën në rezistencë nga Meta në momentin kur i komunikuan urdhër-arrestin e prerë nga GJKKO.
Kështu, Meta është vendosur në pranga që prej tetorit. Si Meta, edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi akuzohen për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, por edhe shpenzime për blerje banesash dhe jo vetëm. Për Kryemadhin, SPAK ka zgjedhur masë më të butë sigurie, duke argumentuar gjendjen e saj shëndetësore. Ndërsa Meta, qëndron në ambientet e paraburgimit të burgut "313" në Tiranë. Edhe pse kishte mundësinë që të transferohej në burgun e Fierit, ku ka masa më të buta sigurie, Meta zgjodhi që të qëndronte në Tiranë për të pasur mundësinë që të takohej me familjarët dhe eksponentë të Partisë së Lirisë./ZËRI