![Rama e zëvendësoi me Shalsin, Berisha: Majko u përgjua nga SHISH!](https://cdnimpuls.com/zeri.ai/media3/-900-0-1736177335xipiccy-image-2025-01-06t163447192-566.jpg)
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar vendimin e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, për të larguar si drejtues politik të Kukësit, Pandeli Majkon. Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendon se zëvendësimi i Majkos me Eduart Shalsin ndodhi për shkak të një përgjimi të Shërbimit Informativ të Shtetit. Berisha pretendon se Majko ishte kapur nga një përgjues i vendosur për të zbuluar "pazaret" e trafikantëve të armëve dhe drogërave. Po sipas kryedemokratit, në përgjime Majko flet për blerje votash.
"Pandeli Majko është kriminel i madh elektoral në Kukës. Pandeli Majko është i regjistruar në tavolinë me regjistrues, të vendosur me vendim gjykate nga Shërbimi Informativ Kombëtar, jo për Pandeli Majkon, por për trafikantë droge dhe armësh që mblidheshin aty. Aty shkon dhe bie zoti Pandeli. Dhe aty, është shumë e vërtetë, dosja është edhe tek ata, është edhe tek unë, aty shkon Pandeliu me këtë Alban Çelën dhe drejtorin e OSHEE të Kukësit dhe fillojnë. I thotë atij drejtorit, ti në Has do të kërkosh kaq shtylla centrifugale dhe do i marrësh në një kompani këtu buzë Erzenit. Ato kushtonin nja 40 deri në 60 mijë euro. Por i thotë, do faturohen 800 mijë euro, nga të cilat 300 do i dërgohen Tropojës për të blerë vota, 200 mijë do dërgohen në Durrës, të tjerat do përdoren në Kukës. Oficeri, i cili ishte në detyrë për të hedhur në çark trafikantët, habitet. Përveç kësaj, në bisedë aty, përfaqësuesit e Hasit kërkojnë armë, sepse Miftar Dautin, thonë ata, nuk e mundim dot. Kandidatin tonë, është reale çdo gjë. Tani ky oficer, njeri i përgjegjshëm, njeri i ligjit, e merr regjistrimin, përgatit dosjen dhe shkon e dorëzon në Skap. Po, dokument zyrtar. Vlora që vodhi arkivën sekrete të shërbimit të Kosovës dhe e çoi aty ku e çoi, ajo e di, dyshime shumë të forta se e çoi në Beograd, refuzon ta presë oficerin. Dhe oficeri mbetet jashtë shërbimi, kishte kryer në mënyrë të shkëlqyer detyrën dhe sot nuk e di ku është. Pra, ky është Majko. Majko shkoi përsëri në vendin e krimit, por duket se e kanë parë që atje nuk e pëlqejnë dhe e kanë sjellë në Tiranë, po sjell gjysmën e ministrave të tij në Tiranë se qytetarët e Tiranës kanë një revoltë të jashtëzakonshme me Lal Vjedhësin, njeriun më të shpifur që ka pasur ndonjëherë Tirana si kryetar bashkie,"-tha Berisha ndër të tjera në fjalën e tij.
Pas deklaratës së Berishës, një koment ka ardhur edhe nga vetë Majko për kryedemokratin. Në rrjetet e tij sociale, socialisti shprehet se e vërteta e Berishës është konfuzioni. Për të, fakti që Berisha e përmend, përkthehet se ka bërë një punë të mirë në drejtimin politik të qarkut të Kukësit.
"Publiku i shoqërisë sonë është mjedis delikat! Tundini dhe shkundini njerzit me gënjeshtrat e duhura dhe ata do të verbohen e sdo te shohin cmendurinë që kane para syve! Konfuzioni është kontroll! Kjo është e vërteta e vërtetë e Sali Berishës! Nuk besoj se jam aq i fortë sa të “vjedh” fitoren e munguar të PD në qarkun e Kukësit! Edhe të përsëritur! Vjedhja e votave dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar është mirë tu lihet atyre që kanë fuqi të kontrollojnë punët e kësaj bote! Atyre që dinë dhe ju dhimbset Shqipëria më shumë se sa ata që ajo ka mbajtur me pushtet dhe janë gati ti vënë flakën vendit kur mbesin pa të! Ishte një kënaqësi tu dëgjoja të më fyenit! Kjo do të thotë se kam bërë gjënë e duhur! Ka shumë lloj vjedhjesh në këtë botë Doktor! Më e keqja, është vjedhja e të ardhmes! Sigurisht!,"-shkruan Majko në Facebook.
Në takimin e sotëm me drejtuesit politikë të qarqeve, Rama bëri një ndryshim i rëndësishëm në terren. Pandeli Majko është sjellë në Tiranë, si drejtues politik, ndërsa në qarkun e Kukësit, në vendin e tij është dërguar Eduart Shalsi. Edhe pse lajmi është bërë me dije për mediat, nuk ka ende një sqarim të këtij ndryshimi në "bazën" e socialistëve./ZËRI