Politikë

Rama mbledh drejtuesit e qarqeve, Shalsi zëvendëson Majkon në Kukës, fokusi tek diaspora

Në fokus të mbledhjes ka qenë puna në terren për votën e diasporës.

I.F
Rama mbledh drejtuesit e qarqeve, Shalsi zëvendëson Majkon në
Elisa Spiropali dhe Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në selinë e Partisë Socialiste të gjithë drejtuesit e qarqeve në vend. Në takimin e sotëm është bërë një ndryshim i rëndësishëm në terren. Pandeli Majko është sjellë në Tiranë, si drejtues politik, ndërsa në qarkun e Kukësit, në vendin e tij është dërguar Eduart Shalsi. Pas këtij ndryshimi, në fokus të mbledhjes ka qenë puna në terren për votën e diasporës. Të gjithë drejtuesit politikë të 12 qarqeve kanë bërë me dije mbarëvajtjen e punës, ndërsa të pranishëm "online", kanë qenë edhe kryebashkiakët socialistë. I vetmi që ka qenë prezent edhe fizikisht, pasi është edhe një nga drejtuesit e qarkut të Tiranës, ishte Erion Veliaj. 

Të gjithë kanë raportuar për punën e bërë deri më tani duke zbuluar sesa emigrantë janë identifikuar nga socialistët.

Më pas, mbledhja ka vazhduar vetëm me Kryesinë.

Pasi diskutimet në seli kanë përfunduar, kryeministri Edi Rama ka qëndruar në seli për disa minuta me Elisa Spiropalin, kryetaren e Kuvendit, me të cilën edhe ka dalë nga godina. Siç duket edhe nga pamjet, të dy kanë pasur diskutime, por ende nuk dihen detaje lidhur me atë që kanë folur me njëri-tjetrin. 

Megjithatë është zbuluar se për socialistët ka një afat! Deri më 11 janar ky proces patronazhimi i votës duhet të përfundojë, pasi në këtë datë nis zyrtarisht është regjistrimi në KQZ i Diasporës. Në zgjedhjet e 11 majit për herë të parë do të votojnë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Socialistët kërkojnë mandatin e katërt, ndërsa përveç Partisë Demokratike me aleatët e saj, në skenë janë futur edhe disa parti të tjera, si Nisma Thurje, Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.

Gjithashtu u diskutua fushata për diasporën, ku për herë të parë në vendin tonë do të votojnë edhe emigrantët.

Më 11 janar, platforma online "PER" do të hapet për të pritur aplikimet e emigrantëve që duan të regjistrohen si votues nga jashtë. Për të gjithë ata që duan të votojnë, platforma do të rrijë e hapur deri në 6 mars. Për t'u regjistruar duhet të futeni në faqen e KQZ-së dhe të klikojnë në seksionin “votues nga jashtë”. Pasi të klikojnë duhet që të vazhdojnë me procedurat dhe kërkesat e Komisionit të Zgjedhjeve. Pasi aplikimi të ketë përfunduar, brenda 5 ditëve, KQZ u kthen përgjigje brenda 5 ditëve duke njoftuar nëse aplikimi i tyre është pranuar, ose jo.

Nëse aplikimi është i suksesshëm, KQZ do t'u dërgojë emigrantëve fletën e votimit me postë. Pasi vullneti të jetë nënshkruar në letër, fleta e votimit do të kthehet sërish me postë në Shqipëri për t'u numëruar më 11 maj./ZËRI

Poll

MOS HUMB