Politikë

'Partizani'/ Berisha nesër përballë SPAK, por jo i vetëm! GJKKO vendos nëse dosja do të kalojë për gjykim

Kryedemokrati duhet që të shkojë të hënën e parë dhe të fundit të muajit para organeve ligjzbatuese.

k.m.
'Partizani'/ Berisha nesër përballë SPAK, por jo i
Sali Berisha

TIRANË- Nesër në orën 10.00 të paradites, kryedemokrati Sali Berisha do të paraqitet në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Berisha do të shkojë nesër, në bindje të urdhrit të Gjykatës së Posaçme për t'u paraqitur para Policisë Gjyqësore, në respektim të masës "detyrim paraqitje". Kryedemokrati duhet që të shkojë të hënën e parë dhe të fundit të muajit para organeve ligjzbatuese.

Gjithashtu nesër, Sali Berisha do të presë vendimin për fatin e dosjes "Partizani". Hetimet për dosjen janë mbyllur dhe do të jetë GJKKO, ajo që do të vendosë nëse do të kalojë për gjykim çështjen, apo do t'ja rikthejë SPAK për hetime të mëtejshme.

Vendimin nëse dosja "Partizani" do të kalojë apo jo në Gjykatën e Posaçme, do të jepet nga e njëjta gjyqtare që e nxori Berishën nga izolimi në shtëpi, Flojera Davidhi. Por nesër, Berisha nuk do të shkojë i vetëm në SPAK. Atje, ai do të pritet nga mbështetës të Partisë Demokratike, që kanë paralajmëruar protestë në kundërshtim të hetimeve që po bëhen liderit të opozitës. Thirrje publike për mbështetësit ka bërë numri dy i Partisë Demokratike, Flamur Noka. 

“Nesër, në orën 09:30, le të jemi të gjithë së bashku përpara selisë së SPAK, për të protestuar kundër akteve përndjekëse që kjo vegël në duar të Ramës po bën ndaj kundërshtarëve të tij politikë,”- shkroi Noka në Facebook.

'Partizani'/ Berisha nesër përballë SPAK, por jo i

Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. 

Në dosjen e SPAK thuhej se dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi është bërë përfaqësues i familjeve që rezultonin pronare të tokës ku ndodhej ish-kompleksi Partizani, përmes prokurave, në të cilat premtohej se do të arrinin objektivat nëse vendosnin vendosur në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja./ZËRI

Poll

MOS HUMB