Protesta para SPAK/ Meta u dërgon letër: Mos u ndalni duke denoncuar Dumanin, pa drejtësi nuk ka liri!

TIRANË- Zyrtarë dhe deputetë të Partisë së Lirisë kanë protestuar sot para ambienteve të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Teksa protestuesit kanë kërkuar lirimin e presidentit Ilir Meta, ky i fundit u ka dërguar një letër nga burgu. Në letrën e lexuar, ai sërish ka sulmuar kreun e SPAK, Altin Dumani, duke theksuar se e arrestoi në kundërshtim me ligjin. Por ka bërë edhe një kërkesë ndjese për hetuesit e tjerë të SPAK.
"Të mos ndalemi së denoncuari Dumanin që nuk guxon kurrë të dalë para gazetarëve të pavarur dhe gjithë mercenarët sorosistë si ai në SPAK dhe në sistemin e drejtësisë. Ndjesë të gjithë prokurorëve dhe punonjësve të ndershëm në SPAK, BKH e kudo, por Dumani në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin e ka shpërdorur për qëllime politike pozitën aktuale, pasi thelbi i vetë SPAK ishte pavarësia e fortë individuale e çdo prokurori dhe jo shndërrimi në parti politike bashkëqeverisëse siç e ka kthyer Dumani. PA DREJTËSI NUK KA LIRI. Ndaj i falenderoj të gjithë ata që na janë bashkuar sot për t’i thënë “Ndal Drejtësisë me Regji” dhe beteja jonë e pakthyeshme do të rivendosë drejtësinë në shinat kushtetuese dhe do të rikthejë lirinë për të gjithë shqipëtarët,"-shkruan Meta ndër të tjera.
Mesazhi i Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta drejtuar protestës qytetare para SPAK
Jemi këtu se SPAK me veprimtarinë antikushtetuese, të paligjshme, arbitrare po i shërben verbërisht Narkoregjimit për të rrëmbyer në mënyrë të dhunshme dhe antidemokratike një tjetër mandat 4-vjeçar. Ishte ky SPAK që “Dosjen e Dibrës”, që tronditi edhe Europën dhe u bë çështje e Parlamentit Europian dhe Bundestagut, e delegoi në Prokurorinë e Dibrës për të relativizuar dhe shuar një nga krimet më të orkestruara elektorale të Edi Ramës dhe zyrtarëve të lartë të “Rilindjes”. Ishte ky SPAK, që denoncimin e opozitës në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit për krimet elektorale që bënë zyrtarët e “Rilindjes” me bandat e Elbasanit nuk e hetoi, por ja kaloi Prokurorisë së Elbasanit, që ishte në konflikt interesi, sepse vëllai i Prokurorit ishte kandidat për deputet i Partisë Socialiste, ndaj kjo solli edhe gjakderdhjen e Elbasanit, por edhe manipulimin e ngjarjes nga policia dhe Prokuroria. Ishte po ky SPAK që për rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 2021, në vend që të hetonte Qeverinë, hetoi dy gazetarët që informuan publikun për skemën kriminale të patronazhimit të qytetarëve. Edhe procesi i “Metamorfozës” u bë publik vetëm pasi u vodh dhe u grabit Bashkia e Shkodrës dhe pse ajo kishte ardhur prej kohësh dhe e përkthyer në shqip. Edhe “Dosja e Elbasanit” kishte të paktën dy vjet që kishte ardhur dhe e përkthyer në shqip, por u bë publike me nxitim ditën që Gjykata e Strasburgut bëri publike se po e shqyrtonte çështjen e Berishës si “leading case”. Dihet se këto dosje që vijnë nga partnerët zvarriten qëllimisht dhe bëhen goditje të pjesshme dhe selektive për të mos goditur thelbin e mekanizmit të “Rilindjes”: krim – zgjedhje – pushtet të Narkoregjimit. Që nga krijimi i SPAK, Narkoekonomia ka lulëzuar dhe korrupsioni ka arritur nivele marramëndëse. Por ndërsa thirret një fshat i tërë në Tiranë për një autokombanjë, Dumani e quan krim intelektual grabitjen më të pacipë dhe pa maska në mes të ditës të inceneratorit që nuk ekziston nga Rama e Veliaj. Me një pjesë të mirë të parave që vodhën nga inceneratorët dhe PPP-të që nuk hetohen ose hetohen fiktivisht, financohen shumë televizione, emisione dhe pseudoanalistë që përsërisin tezat e “Rilindjes” mbi arritjet e SPAK-ut falë të cilëve Shqipëria është e para për korrupsionin në kontinent. Dumani nuk ka as hallin e qytetarëve, as të shtetit por të Ramës dhe Veliajt që t’i mbajë në pushtet për interesin e tij dhe të disa mercenarëve si vetja. Ajo që kisha paralajmëruar prej muajsh veçse u përforcua nga vetë Dumani para pak ditësh kur kërkoi ende pa bërë gjysmën e parë të mandatit 9-vjeçar, të sigurojë edhe një mandat tjetër 9-vjeçar gjoja në emër të pavarësisë së prokurorive. Jo, ai nuk ka hallin e pavarësisë së prokurorive, por të përjetësisë të privilegjeve të tij dhe garantimit të pandëshkueshmërisë së tij për shkeljet e hapura të Kushtetutës, të ligjeve, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të mos hetimeve për të gjitha ato kallëzime që opozita dhe shoqëria civile kanë bërë në SPAK. Jemi sot këtu për të denoncuar Dumanin si dhunues jo vetëm të Kushtetutës dhe ligjeve por edhe të pavarësisë së gjykatave. Deklarata e “afërmendëshit” se Gjykatat vendosin çfarë u kërkon SPAK-u është tregues i marrëzisë dhe injorancës së tij dhe minon shtetin e së drejtës, ndarjen e pushteteve dhe përjashton parimin themelor të prezumimit të pafajësisë. Akoma më e rëndë deklarata e tij intimiduese dhe shantazhuese ndaj gjykatësve dhe prokurorëve që kanë kaluar vettingun dhe janë në detyrë duke hedhur hijen e dyshimit në tërësi për t’i mbajtur nën shantazh përmes mekanizmit të përgjimeve. Se çfarë ishte procesi i vettingut tani e dimë të gjithë. U përjashtua një personalitet si Bashkim Dedja, i zgjedhur dy herë nga dy mazhoranca të ndryshme si Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, vetëm pse paguante dy fatura të ujit dhe të dritave për një apartament të vëllait emigrant në Golem dhe e kaloi vetingun ky “shenjtori” me tre apartamente. SPAK nuk është palë, por një instrument kamikaz i Edi Ramës për t’u përdorur kundër opozitës, demokracisë, pluralizmit politik dhe garanton paprekshmërinë e Ramës dhe regjimit të tij. Vetë Rama me të drejtë ka thënë se SPAK ishte krijesë e tij dhe nuk ka gënjyer. Sepse përmes shkeljes së rëndë të Kushtetutës që u votua me 140 vota, Prokurori i Përgjithshëm (Arta Marku) u zgjodh me 69 vota (nga 84 vota që detyron Kushtetuta). Dhe ishte kjo e përzgjedhur e Edi Ramës që përmes emërimeve të saj politike, zgjodhi Këshillin e Lartë të Prokurorisë që donte Edi Rama, i cili solli edhe krijesën e tij, SPAK-un, që sot demonstron hapur kapjen e tij flagrante nga Edi Rama. Nuk ka as media, as pseudoanalistë, as sondazhe të mirëpaguara, që e mbulojnë dot më se çfarë është SPAK-u dhe Dumani. Ata janë garantët e korrupsionit të Edi Ramës dhe në marrëveshje të plotë me të, godasin me regji dhe mirëkuptim “limona të shtrydhur” të Rilindjes, por pa cënuar aspak kolonën vertebrore të këtij mekanizmi dhe sidomos Kryekorruptorin edhe të Ndërkombëtarëve. Çfarë bëhet me “Dosjen McGonigal” i cili prej dy vitesh është i dënuar nga gjykata amerikane dhe e gjithë bota ka shkruar për këtë rast tronditës se si një Kryeministër i një vendi modest dhe anëtar i NATO-s korrupton një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së për të investuar për shantazhimin dhe shkatërrimin e opozitës dhe si shkëmbim jep jo vetëm qindra mijëra dollarë por edhe pasuritë natyrore të Shqipërisë për Rossinin me shokë. Nuk flet dot Dumani për këto dosje se është vetë brenda aty ndaj edhe bën thirrje e lutje për një mandat të përjetshëm, pasi po përjeton makthin e shkeljes së Kushtetutës dhe të ligjeve, të fabrikimeve e falsifikimeve në procese tërësisht politike dhe pa asnjë provë ndaj drejtuesve të opozitës. Ndaj edhe firmosi për rrëmbimin tim nga Narkopolicia me nxitim mbi një ligj të shfuqizuar 4 vite më parë dhe mashtrojnë para gjykatës se arrestimi është bërë sipas ligjit. Pas 5 vitesh hetimesh të turpshme dhe të manipuluara, të nisura nga vetë Dumani (për një çështje para 14 vjetësh dhe të gjykuar 2 herë), pasi u përdorën edhe shumë kallëzues të tjerë për lloj e lloj çështjesh, Ilir Meta dyshohet se favorizoi një biznesmen përmes ndryshimit të një ligji, amendamentet e të cilit i propozoi deputetja e Edi Ramës, i cili i dha edhe mbi 65 vota këtij ligji përveç fjalimit të tij patetik. Njësoj si me ndërrimin e destinacionit të Klubit Sportiv “Partizani” ku firmosi Edi Rama dhe arrestohet Sali Berisha. Ndaj të mos ndalemi së denoncuari Dumanin që nuk guxon kurrë të dalë para gazetarëve të pavarur dhe gjithë mercenarët sorosistë si ai në SPAK dhe në sistemin e drejtësisë. Ndjesë të gjithë prokurorëve dhe punonjësve të ndershëm në SPAK, BKH e kudo, por Dumani në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin e ka shpërdorur për qëllime politike pozitën aktuale, pasi thelbi i vetë SPAK ishte pavarësia e fortë individuale e çdo prokurori dhe jo shndërrimi në parti politike bashkëqeverisëse siç e ka kthyer Dumani. PA DREJTËSI NUK KA LIRI. Ndaj i falenderoj të gjithë ata që na janë bashkuar sot për t’i thënë “Ndal Drejtësisë me Regji” dhe beteja jonë e pakthyeshme do të rivendosë drejtësinë në shinat kushtetuese dhe do të rikthejë lirinë për të gjithë shqipëtarët./ZËRI
PL protestoi para SPAK pa PD-në, Blushi: SPAK të ndalë arrestimet politike, po shkatërron reformën në drejtësi

TIRANË- Partia e Lirisë protesoi sot para ambientëve të Prokurorisë së Posaçme një lëvizje e paralajmëruar nga Ilir Meta që ndodhet në qeli. Para SPAK u grumbulluan anëtarë të Partisë së Lirisë dhe mbështetës të saj. Në krye të protestës qëndroi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe Erisa Xhixho. Po ashtu, para SPAK u mblodhën edhe forca të shumta policie për të shmangur incidentet. Gjatë protestës avokati i Metës, Genc Gjokutaj tha se ka paditur tre efektivët e Policisë që arrestuan ish-presidentin më 21 tetor. Partia e Lirisë i akuzon ata për “shpërdorim detyre” dhe “veprime arbitrare”. Në këtë protestë u vu re edhe mungesa e deputetëte të Partisë Demokratike, ndërsa kreu i saj tha se ata nuk ishin prezentë pasi nuk u organizua nga koalicioni. Blushi gjatë fjalës së tij tha se SPAK i shërben qeverisë dhe ka si qëllim të godasë opozitën.
“Ky institucion me veprimtarinë e tij i ka shërbyer verbërisht këtij narkoregjimi, jemi sot këtu sepse SPAK është shkatërruesi përfundimtar i reformës në drejtësi dhe i çdo shpresë të shqiptarëve të lirë dhe të ndershëm për barazi para ligjit, para instuticioni që sot prodhon vetëm padrejtësi dhe përndjekje politike dhe policeske para opozitës, sot është bunkeri i fundit i narkoqeverisë që po mbron dhe jep imunitet korrupsionit skizofrenik.
Altin Dumani është sot armiku i shtetit të së drejtës, i lirive, mercenari më i verbër i rilindjes misioni i të cilit është persekutimi politik ndaj opozitës përmes proceseve hetimore të montuara. Rrëmbimi i bërë nga spak. Shkelja e Kushtetutës, e konventës janë shtyllat ku mbështet sot aktiviteti i kësaj organizate kriminale që quhet SPAK, është kthyer sot në pistoletë në duart e Edi Ramës për të vrarë opozitën”, tha Blushi.
Protesta u organizua më datë 25 nëntor, ku kreu i PL-së Ilir Meta, i cili ndodhet nën arrest me burg bëri thirrje për protestë. Në letrën e tij, Meta i bëri thirrje Shtabit Drejtues të Tiranës, të ngrihet kundër narko-drejtësisë që është bërë palë me Ramën kundër opozitës.
Meta kërkoi që përmes protestës të denoncohen manipulimet që sipas tij, janë bërë në dosjen e ngritur nga SPAK kundrejt tij dhe ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi. Gjithashtu, Meta shton se duhet protestuar edhe për të hetuar aferat e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama, që sipas tij, nuk hetohen nga SPAK.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është vënë në pranga dhe është lënë në masën e sigurisë “arrest me burg”. Të dy, kanë të njëjtat akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, por edhe shpenzime për blerje banesash dhe jo vetëm. Për Kryemadhin, SPAK ka zgjedhur masë më të butë sigurie, duke argumentuar gjendjen e saj shëndetësore. Meta, prej thuajse një muaji qëndron në ambientet e paraburgimit të burgut "313" në Tiranë. /ZËRI
PL protestoi para SPAK pa PD-në, Berisha: Nuk u organizua nga koalicioni!

TIRANË- Partia e Lirisë protesoi sot para Prokurorisë së posaçme për arrestimin e kreut të saj Ilir Metës, por ajo që u vu re ishte mungesa e deputetëve demokratë. Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se ata ishin të ftuar të merrnin pjesë, por kjo protestë nuk ishte organizuar nga koalicioni. Berisha tha se PD së bashku me PL-në do ta dërgoj çështjen e arrestimit të tij në Komitetin Antitorturë të Këshillit të Evropës.
"Protestën e organizonte Partia e Lirisë. Demokratët kanë qenë të ftuar të marrin pjesë, por nuk ka qenë organizim i koalicionit kjo protestë. Përkundrazi, PD e konsideron rrëmbimin e Ilir Metës dhe keqtrajtimin e tij, zvarritjen dhe goditjen, si një nga aktet më të rënda të torturës publike të regjistruara nga vitet ’50 gjer sot.
Dhe PD, së bashku me PL do e dërgojë këtë rast përpara Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës, në mënyrë që ata që e organizuan këtë akt, të marrin ndëshkim ndërkombëtar. Akt i verbër i hakmarrjes politike e Edi Ramës ndaj Ilir Metës”, tha Berisha. /ZËRI
“Me ty Ilir Meta”/ Partia e Lirisë nis protestën para SPAK, asnjë deputet i PD-së i pranishëm

TIRANË- Partia e Lirisë ka nisur protestën para dyerve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një lëvizje e paralajmëruar nga Ilir Meta që ndodhet në qeli. Para SPAK janë grumbulluar dhjetëra persona, kryesisht anëtarë të Partisë së Lirisë dhe mbështetës të Ilir Metës. Në krye të tyre qëndron Tedi Blushi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe Erisa Xhixho.
“Me ty, me ty, Ilir Meta,”- dëgjohen mbështetësit të brohorasin.
Mes protestuesve nuk shihet asnjë mbështetës apo deputet i Partisë Demokratike. Më herët, në konferencë me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha u pyet nëse do t’i bashkohej protestës së Metës dhe tha se lufta e Opozitës nuk duhet të jetë kundër SPAK, por kundër kryeministrit Edi Rama.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është vënë në pranga dhe është lënë në masën e sigurisë “arrest me burg”. Të dy, kanë të njëjtat akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, por edhe shpenzime për blerje banesash dhe jo vetëm. Për Kryemadhin, SPAK ka zgjedhur masë më të butë sigurie, duke argumentuar gjendjen e saj shëndetësore. Meta, prej thuajse një muaji qëndron në ambientet e paraburgimit të burgut "313" në Tiranë. /ZËRI
Partia e Lirisë protestë para SPAK: Të ngrihemi kundër narkodrejtësisë

TIRANË- Sot Partia e Lirisë do të protestojë para Prokurorisë së Posaçme në orën 12:00. Protesta do të zhvillohet pas kërkesës së kryetarit të PL-së Ilir Meta, i cili ndodhet nën arrest me burg. Në letrën e tij, Meta i bëri thirrje Shtabit Drejtues të Tiranës, të ngrihet kundër narko-drejtësisë që është bërë palë me Ramën kundër opozitës.
Meta kërkon që përmes protestës të denoncohen manipulimet që sipas tij, janë bërë në dosjen e ngritur nga SPAK kundrejt tij dhe ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi. Gjithashtu, Meta shton se duhet protestuar edhe për të hetuar aferat e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama, që sipas tij, nuk hetohen nga SPAK.
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurisë ndaj kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe deputetes së PL-së Monika Kryemadhit. Seanca e tyre zgjati rreth 7 orë, por Apeli hodhi poshtë ankimimin e Metës dhe Kryemadhit për masat e sigurisë. Të dy, kanë të njëjtat akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, por edhe shpenzime për blerje banesash dhe jo vetëm. Për Kryemadhin, SPAK ka zgjedhur masë më të butë sigurie, duke argumentuar gjendjen e saj shëndetësore. Ndërsa Meta, prej thuajse një muaji qëndron në ambientet e paraburgimit të burgut "313" në Tiranë. /ZËRI