Video

Rregullorja e re për mikrokreditë, lista e zezë dhe "kaseta" e Gent Sejkos, ç'duhet të dinë qytetarët?

Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Denis Derralla ka deklaruar se në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”, do të ketë një "listë të zezë". Në këtë listë do të jenë të gjithë ata individë që janë të përjashtuar nga kreditimi nga të gjitha institucionet financiare dhe banka. Por, edhe kjo deklaratë është shumë e cunguar.

Florida Mingla
Rregullorja e re për mikrokreditë, lista e zezë dhe
Gent Sejko dhe gazetarja Florida Mingla

TIRANË- Çështja e kredive të këqija që rëndon mbi shpinën e mijëra qytetarëve ende nuk e ka një zgjidhje. Në deklaratën e parë për shtyp në krye të detyrës së re, ministri i Financave Petrit Malaj u pyet edhe lidhur me këtë çështje dhe tha se është kompetencë e Bankës së Shqipërisë për të monitoruar këto institucione financiare jo-banka dhe shtoi se së bashku po punojnë për të kryer ndryshimet e nevojshme ligjore.

Nga ana tjetër, Gent Sejko është shprehur se Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, po punojnë për një rregullore të re për institucionet mirkofinanciare. Sipas Sejkos, do të ketë një kontroll më të rreptë për moshën e huamarrësve si dhe mbi mundësinë financiare që ata kanë për shlyerjen e kësteve.

Sejko nuk dha shpjegime se pse këto masa nuk ishin rishikuar më herët, ndërkohë që mijëra qytetarë ishin detyruar që të humbisnin pronat e tyre, për shkak të paaftësisë për shlyerjen e kësteve të kredive të vogla. Ai nuk tregoi as se cili do të jetë kufiri i moshës së lejuar për marrjen e kredive me interes të lartë, dhe as nëse punësimi do të jetë një kusht i detyrueshëm për aplikuesit pranë institucioneve financiare.

Ajo që bënte përshtypje është se edhe këtë njoftim, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, nuk zgjodhi ta bënte përballë gazetarëve për të shmangur çdo përgjegjësi publike, por përballë kishte një punonjëse të Bankës së Shqipërisë që i bënte pyetjet. Sigurisht duke qenë vartësja e tij, punonjësja nuk do ta vinte në vështirëasi për t’i kërkuar përgjigje për çdo shqetësim të ngritur nga qytetarët që ende kërkojnë të drejtën e tyre në insitutionet e drejtësisë në vend.

Rregullorja e re u zyrtarizua në fillim të tetorit, kur çdo qytetar përmes mediave mësoi se nuk do t’i lejohet të marrë më shumë se dy kredi njëkohësisht.

Po ashtu, institucionet financiare jo banka do të kalojnë në një filtër më të hollësishëm gjendjen ekonomike të qytetarëve që aplikojnë për kredi dhe të ardhurat e tyre mujore. Në rregullore thuhet gjithashtu se vlera e raportit të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave nuk duhet të tejkalojë vlerën prej 40%. Kjo vlerë mund të jetë më e lartë vetëm në rastet kur kredimarrësi ka evidenca të mjaftueshme që niveli më i lartë i raportit nuk cënon pagesën e detyrimeve të kredisë.

Rregullorja e re do të hyjë në fuqi pas datës 1 janar 2025.

Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Denis Derralla ka deklaruar se në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”, do të ketë një "listë të zezë". Në këtë listë do të jenë të gjithë ata individë që janë të përjashtuar nga kreditimi nga të gjitha institucionet financiare dhe banka. Por, edhe kjo deklaratë është shumë e cunguar.

Nga rastet e ndjekura nga ZËRI, shumë qytetarë kanë rënë pre e skemave, përmendim këtu banorët e Nishtullës që edhe sot e kësaj dite rezultojnë kreditorë të këqinj për shkak të skemës së mashtrimit të Fondin BESA. A do të jenë edhe këta qytetarë pjesë e kësaj liste të zezë?

Kredimarrësit janë gjithashtu të paqartë me atë që do të ndodhë me detyrimet që iu kishin kompanive që janë sekuestruar. Bëhet fjalë për FINAL dhe Micro Credit Albania. Zyrat dhe materialet që u gjetën brenda tyre, iu kaluan Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Ky institucion është në varësi të Ministrisë së Brendshme, dhe ka një total prej 14 punonjësish, që duket se e kanë të pamundur sqarimin e mijëra qytetarëve që kanë mbetur pa përgjigje.

Në datën 22 Korrik, drejtuesi i AAPSK emëroi Dorina Janon, për administrimin e MCA dhe Final, por kjo e fundit dha dorëheqjen menjëherë pas marrjes së detyrës, duke shmangur në këtë mënyrë përgjegjësinë. Pas saj kjo detyrë iu besua Indrit Karajt, i cili më herët ka mbajtur postin e kreut të Tatimeve në Elbasan. Tashmë Karaj ka përgjegjësinë që të shqyrtojë dosjen e 100 mijë qytetarëve të mashtruar, por a mund të bëhet kjo detyrë të bëhet nga një person i vetëm?

Paralelisht e gjithë skema po hetohet nga Prokuroria, që ka nxjerrë në pah dhe dyshime për ankande fiktive të shitjes së pronave të sekuestruara të qytetarëve debitorë.

Qytetarët në mjaft raste nuk njoftohen për kohën dhe vendin e zhvillimit të ankandit ku shitet prona e tyre dhe kjo gjë është raportuar shumë më herët nga Kapitali, më konkretisht përmes rastit të Pëllumb Memës, të cilit iu shit prona për një kredi me vlerë 650 mijë lekë që kishte marrë në vitin 2010 tek NOA, nga të cilat kishte shlyer 600 mijë, por që ta mbyllte totalisht duhet të paguante edhe 550 mijë lekë të tjera. Mospagesa e kësaj vlere i kushtoi shtëpinë private 182.4 metër katrorë, në rrugën Gjergj Legisi në Laprakë, që në datën 24 tetor vitit 2023 ishte regjistruar në pronësi të Micro Credit Albania për vlerën 1 lekë.

Sipas udhëzimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2012, Pas përcaktimit të vlerës nga një ekspert i pavarur, prona del në ankand me 80% të kësaj vlere. Nëse prona nuk shitet, kryhet një ankand i dytë ku përmbaruesi gjyqësor përcakton një çmim jo më të ulët se 30% të çmimit fillestar të caktuar në ankandin e parë dhe nëse sërish nuk shitet zhvillohet një ankand i tretë, me çmim jo më të ulët se 10 % të çmimit në ankandin e dytë. Vendimi për shitjen e objektit në ankand duhet të afishohet në vende publike, si tek zyra e përmbaruesit gjyqësor, në vendin ku ndodhet objekti, tek gjykata që ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit, në komunë, bashki, njësi bashkiake apo edhe në gazeta me tirazhin më të lartë, gjë që nuk respektohet. Mungesa e transparencës bëjnë që shumë prona të shiten në vlerë të ulët, tek vetë kreditori ose tek persona apo subjekte të paracaktuara.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka bërë me dije se të gjitha llogaritë bankare që ishin të bllokuara, tashmë janë liruar dhe se tashmë kanë gati ndryshimet ligjore për shërbimin përmbarimor privat, që do të hidhet për konsultim e më pas do të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë për t'u miratuar. Sipas Manjës, me ligjin e ri synohet që forcohen mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit të Ministrisë së Drejtësisë mbi përmbaruesit privatë, që janë akuzuar edhe nga Prokuroria e Tiranës se kanë abuzuar me pushtetin e tyre.

Qytetarët janë në pritje pas një viti që ZËRI ka denoncuar dhe grumbulluar dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në këto zyra, të cilat përmes njoftimeve online dhe në televizione, kanë krijuar një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera, nga ku nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija.

Çështja është në duart e SPAK, po duhet theksuar që ka marrë 2 jetë njerëzisht. Njëri ishte Pal Trashaj, kredimarrësi që u vetëflijua para ambienteve të SPAK, ndërsa nga një godinë në ndërtim u hodh Olsi Ibro, i cili ishte një nga pronarët e MCA./ZËRI

Poll

MOS HUMB