
TIRANË- Prokuroria e Tiranës do t'i kalojë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dosjen e mashtrimit që dhjetra mijëra qytetarëve nga institucionet e kredive të këqija. Një burim nga grupi i hetimit tha për Top Channel se çështja me 9 të dyshuar dhe dy shoqëri nën sekuestro, MCA dhe FINAL, është vendosur t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme. Kjo pasi ka dyshime të forta nga hetuesit e Prokurorisë së Tiranës se kanë zbuluar një grup kriminal.
Subjektet financiare të lartpërmendura dhe përmbaruesit që terrorizonin qytetarët në emër të tyre, dyshohet se kanë vepruat në kuadër të një grupi krimianal dhe se kanë pasur role të mirëcaktuara në "organizatë". Kështu që në këto kushte, grupi i hetimit në Prokurorinë e Tiranës ka vlerësuar se një dosje me prova të tilla duhet që t'i kalojë SPAK-ut si kompetencë.
"Nga aktet e administruara nga prokuroria e Tiranë rezulton se shoqëritë nën hetim morën nga banka gati 4 mijë kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite. Vlera totale e tyre është gati 7 milionë euro dhe për shlyerjen e tyre prokuroria e Tiranë zbuloi se u përdor një skemë shtrënguese e kredimarrjes ku përmes vjedhjes debitorët u detyruan t’i shlyenin borxhet e veta me borxhe të reja. Prokuroria e Tiranës zbuloi se përmes kësaj skeme shoqëri të ndryshme përmbarimore vepruan duke bllokuar pasuritë që prokurorët e konsiderojnë se është vjedhje pasurie. Në hetimin e kryer mbas masave gjyqësore, prokurorët kanë zbuluar se si qindra ankande mbi pasuritë e bllokuara, u kryen fiktivisht dhe pa njoftuar qytetarin. Vetëm në një ditë hetimet konstatojnë se u kryen 75 ankande të tilla,"-shkruan TopChannel.
Por në çfarë përfundimi doli Prokuroria e Tiranës për skandalin?
"Skemë mashtruese me mendim unik kriminal", ky ka qenë përfundimi i hetimeve lidhur me dy prej kompanive që zhvatën qytetarët me kreditë e këqija që u jepnin. Si rrjedhojë, me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, Micro Credit Albania dhe Final, të dyja janë vendosur nën sekuestro. MCA ka mbi vete vetëm veprën penale të "mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”; por “Final" përveç të akuzës që ndan me MCA, akuzohet edhe për "pastrim të produkteve të veprës penale". Megjithatë, deri më tani, nga Prokuroria e Tiranës nuk jepen sqarime se paratë e kujt janë "pastruar" përmes kësaj kompanie që tashmë është nën sekuestro.
Nga hetimet, Prokuroria ka dalë në përfundimin se MCA dhe Final, duke bashkëpunuar me shoqërinë "ADCA" dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore kanë krijuar një skemë mashtruese për të zhvatur qytetarët. Duke qenë se nuk e përllogarisin dot mashtrimin ndaj qytetarëve, Prokuroria thotë vetëm se qytetarëve u janë vjedhur dhe zhvatur "10-tra milion euro", por një shifër konkrete nuk e kanë. Të gjitha këto prona dhe para që u janë marrë qytetarëve, këto kompani i kanë investuar ose i kanë përdorur për aktivitete të tjera.
Por si janë zhvatur qytetarët?
Prokuroria ka dalë në përfundimin se punonjës të këtyre kompanive, në bashkëpunim me përmbaruesit: kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve/debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme (numrat e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimi etj): përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet telefona të vazhdueshme( dhe jo vetëm) me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive; përdorur gënjeshtrën që konsostente në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore; sekuestrimin e llogarive bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, madje dhe pa ndonjë afat kohor; Kryer sekuestrimin e pronave të paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur; dhe Kanë “shitur/kaluar” në pronësi të MCA, pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.
Mashtrimin, presionin e të gjitha mjetet e lartpërmendura nga Prokuroria janë përdorur nga këta mashtrues për të detyruar debitorët që të merrnin kredi të reja në këto institucione me principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta. Për t'i bindur, qytetarët i gënjenin se vetëm në këtë mënyrë do të shlyenin kredinë ekzistuese. Ndryshe nga sa ndodh gjithmonë për raste të ngjashme, kësaj here Prokuroria e Tiranës shifrën totale të zhvatjes nuk e përllogariste dot për shkak se është ose në para, ose në prona, ose të dyja bashkë janë të riinvestuara.
Ndaj përllogarit një dëm që sipas organit hetues arrin në 10-tra milion euro.
Në lidhje me mashtrimin me mikrokreditë, janë lënë në masën e sigurisë "arrest shtëpie": Elda Ibro, Jorsida Dervishi, Alketa Tanushi e Kejda Seferi, ndërsa në burg janë: Arben Meskuti, Aldo Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato. Së fundmi u arrestua edhe Alban Kote.
Si u zbulua skandali?
Prej disa muajsh tashmë, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në këto zyra. Këto institucioneve përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve kredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë? SPAK duhet t’i japë një përgjigje!/ZËRI