
TIRANË- Institucionet mikrofinanciare kanë qenë gjithashtu pjesë e raportit të UNDP i titulluar “Vlerësimi i Financës së Zhvillimit në Shqipëri”, me autore Linda Ramën, bashkëshorten e kryeministrit Edi Rama dhe Elena Polon. Në faqe 77 të raportit, nis rrëfimi i rrënjosjes së këtyre kompanive në Shqipëri, në mënyrë kronologjike, që nga viti 1992, kohë kur u bë shkak përfshirja e Bankës Botërore si një nxitës kryesor i përfshirjes financiare të të varfërve me anë të mikro-kredive.
Mirëpo, siç edhe thuhet në raport, në atë kohë ekonomia e Shqipërisë pothuajse nuk kishte ndonjë sipërmarrës privat, fermer dhe biznes, pasi i gjithë aktiviteti ekonomik ishte në pronësi të shtetit. Ajo që vihet re është se ‘lulëzimi’ dhe dominimi i Institucioneve Financiare Jo-Banka dhe Shoqatave të Kredive ka kapur kulmin në vitin 2022, kohë që përkon me fazën kur Shqipëria ishte ende në valën e pandemisë së Covid-19 dhe siç duket, vëshirësitë financiare për shkak të humbjeve të vendve të punës apo shtimit të kostove, ka bërë që qytetarët të drejtohen në dyert e këtyre shoqërive për tu financuar.
Megjithatë, Rama thekson në raport se në të njëjtin vit, sektori jobankar dhe ai mikrofinanciar u përball me sfida të shumta për shkak të çmimeve të energjisë dhe naftës që jo vetëm që rriti shpenzimet operacionale, por edhe ndërlikoi procesin bazë të huadhënies duke rritur normat e interesit në mes të inflacionit të lartë.
“Njëkohësisht, sektori u përball me pasiguri në lidhje me burimet e financimit, vendas dhe ndërkombëtarë, duke ndikuar si në kapitalizimin ashtu edhe në rritjen e kostos së fondeve. Megjithëse kërkesa nga bizneset mbeti relativisht e qëndrueshme, kërkesat për kredi individuale pësuan rënie të përkohshme. Kjo ishte për shkak të shqetësimeve për perspektivat e ardhshme dhe rritjes së ndjeshme të kostos së jetesës, duke i bërë konsumatorët më të kujdesshëm,”- shkruhet në raport ndër të tjera.
Në dokument nuk lihet pa theksuar dhe roli i Bankës së Shqipërisë, ku thuhet se pavarësisht se ka rol mbikëqyrës, nuk jep të dhëna për sektorin mikrofinanciar.
“BSH është mbikëqyrëse e IFJB-ve dhe SLA-ve, por Raporti i saj për Stabilitetin Financiar nuk jep të dhëna në sektorin mikrofinanciar. Si të tilla, të dhënat dhe informacionet e paraqitura nga kjo pikë i referohen raporteve të monitorimit të AMA-s që mbulojnë vetëm anëtarët e AMA-s, të cilët janë IMF-të më të mëdha,”- shtohet më tej në raport.
Si ndahet tregu?
Sipas raportit, gjatë vitit 2020, Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës (AMA) përbëhej nga 9 anëtarë, duke përfshirë 6 NBFI (Agrokredit, Agro & Social Fund, Crimson Finance Fund Albania, BESA Fund, IuteCredit Albania, Kredo Finance dhe NOA), si dhe dy SLA (Fed Invest SCA LLC dhe UniFin SCA), duke u zgjeruar me 2 anëtarë krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2021 operonin në treg 36 NBFI dhe 12 SLA. Gjatë vitit 2022, kishte 38 NBFI, 16 SLA dhe 1 sindikatë. Në vitin 2022, anëtarët e Shoqatës Shqiptare të Mikrofinancës (AMA)148 zotëronin një portofol bruto kredie prej 39.6 miliardë lekësh (më shumë se 270 mijë klientë aktivë). Peshën më të madhe e zënë kredia e biznesit me 20.2 miliardë lekë ose 53%, e ndjekur nga kredia për individët me 11.3. miliardë ose 30%, dhe pjesa tjetër korrespondon me kredi të tjera. Pjesa jobankare e sistemit financiar vijon të mbetet e mirëkapitalizuar dhe me një cilësi të mirë të portofolit të kredisë për institucionet e kreditit, të cilat kanë raportuar ulje të raportit të kredive me probleme krahasuar me fundin e një viti më parë. Mbi 80% e financimit të dhënë për bujqësinë në vitin 2022 ka ardhur nga mikrofinancimet. Ky sektor, theksohet në raport, karakterizohet përgjithësisht nga informaliteti i lartë (veçanërisht në bujqësi), disponueshmëria e kufizuar e kolateralit dhe nivelet e ulëta të kapaciteteve financiare. Aksesi i kufizuar në financim, veçanërisht kredi bankare, është një sfidë për SME-të shqiptare.
Por, në këtë raport nuk është përmendur Micro Credit Albania, një institucion që operonte në mbledhjen e borxheve të këqija dhe që ka paktën 100 mijë dosje në gjykjatë, të qytetarëve që u janë marrë pronat për kredi në vlera të pakonsiderueshme. Risjellim në vëmndje dhe rastin e Pal Trashajt, 63-vjeçarit që u vetëflijua në dyert e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pasi MCA i kishte bllokuar të gjitha pronat dhe pagën e tij e të familjarëve. E gjitha erdhi si pasojë e një kredie konsumatore që Trashaj mori në një prej institucioneve mikrofinanciare me emrin Oportuny që më vonë u shndërrua në NOA. Kredia, edhe pse e shlyer, u shit tek MCA që vijoi me presionet e vazhdueshme, deri në tjetërsimin e pronave dhe të bllokimit të pagave./ZËRI