TIRANË-Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, njoftoi sot se procesi i përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025 ka filluar. Hoxha ka njoftuar se 3,721,116 qytetarë kanë të drejtën e votës, nga të cilët 50.5% janë burra dhe 49.5% gra.
Këtë herë lista është ndarë në dy kategori, zgjedhës që votojnë nga brenda dhe nga jashtë vendit. Për ata jashtë vendit regjistrimi nis më 11 Janar nga KQZ dhe ka një procedurë të caktuar, me dokument dhe njohje elektronike. Më 9 mars 2025 kjo listë do jetë publike, ku çdo shtetas 48 orë afat për të shprehur se ku do votojë.
Ministri Hoxha përmendi disa pika kryesore për garantimin e një procesi të drejtë dhe gjithëpërfshirës:
Verifikimi i listave zgjedhore: Çdo qytetar mund të kontrollojë të dhënat e tij përmes portalit e-Albania ose fizikisht pranë njësive administrative.
Qendrat e votimit: Aktualisht janë 5,050 qendra të miratuara, ndërsa kërkohet vendimmarrje për ato që janë jashtë kufijve të kapacitetit të lejuar.
Dekriminalizimi: Pastrimi i listave nga shtetasit që ligji i përjashton nga e drejta e votës, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë.
Deklarata e Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha:
Ministria e Brendshme ka nisur zyrtarisht procesin e përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, duke publikuar ekstraktin e parë të listës zgjedhore, në përputhje të plotë me përcaktimet ligjore dhe standardet e Kodit Zgjedhor. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, të drejtën e votës e gëzojnë 3,721,116 shtetas.
Ndër ta, 50.5 % janë zgjedhës meshkuj dhe 49.5 % janë femra. Deri në këtë moment të papërfshirë në listë janë 4,536 shtetas, të cilët janë mbi 100 vjeç, që mbushin apo kanë mbushur këtë moshë deri në 11 maj 2025. Për të siguruar të drejtën e votës, këta qytetarë duhet të paraqiten pranë zyrave të Gjendjes Civile, për t’u përfshirë në listën e zgjedhësve.
Aktualisht numri i përgjithshëm i qendrave të votimit brenda limiteve është 5,050. Duke përfituar nga ky komunikim, ftoj kryetarët e bashkive për tu angazhuar për vendimmarrje për qendrat e votimit që janë jashtë limiteve, me më shumë se 1 mijë zgjedhës apo më pak se 300 të tillë.
Gjithashtu, në këtë kuadër Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë kanë miratuar një akt të përbashkët, për pastrimin e listave nga shtetasit që ligji për Dekriminalizimin i përjashton nga e drejta e votës, si dhe hapjen e qendrave të votimit në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore do të përfshihen dy kategori zgjedhësish:
- Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit;
- Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit, kjo listë paraprake do të jetë publike në 9 mars 2025 dhe çdo shtetas do të ketë në dispozicion 48 orë për të shprehur vullnetin përfundimisht nëse duan të votojnë brenda apo jashtë Shqipërisë.
Ky hap përfaqëson një moment historik për demokracinë shqiptare, duke ofruar mundësinë që diaspora të ushtrojë të drejtën e votës, pavarësisht ku jeton e punon.
Nga data 11 janari 2025 shënohet fillimi i procesit të regjistrimit të votuesve jashtë Shqipërisë për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 Maj 2025. Regjistrimi do të bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit të votuesve nga jashtë, në të cilën mund të hyhet nga aplikacioni i KQZ.
Për regjistrimin nevojitet një pajisje elektronike për verifikimin nëpërmjet fotografimit të fytyrës për regjistrimin në PER dhe skanimin apo fotografimin e dokumentit të identifikimit dhe të dokumentit tjetër të deklarimit të adresës. Ndaj është shumë e domosdoshme dhe apeloj çdo shtetas shqiptar që jeton jashtë vendit, të rinovojë dokumentet e identifikim, duke patur të paktën njërin prej tyre të vlefshëm përgjatë këtij procesi.
Prej disa javësh, është miratuar udhëzimi që lejon aplikimin qoftë edhe për një dokument identifikimi në zyrat tona konsullore. Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ka ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar që ky proces të zhvillohet në mënyrë të drejtë, transparente dhe të aksesueshme për qytetarët tanë jashtë kufijve.
Në mënyrë që procesi të jetë i sigurt dhe gjithëpërfshirës, qytetarët janë ftuar që të verifikojnë të dhënat personale në listën zgjedhore:
- Online, përmes portalit e-Albania;
- Fizikisht, pranë njësive administrative ku listat janë afishuar.
Çdo qytetar që has problematika apo paqartësi mund të kontaktojë në platformën e bashkëqeverisjes “Shqipëria që Duam”.
Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka nisur procesin e verifikimit dhe përditësimit të listave zgjedhore, me qëllim garantimin e një liste përfundimtare të saktë dhe gjithëpërfshirëse.
Vota është arma më e fuqishme e demokracisë, dhe garantimi i aksesit për çdo qytetar shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, mbetet prioritet i joni kryesor. Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve të identitetit “IdentiTek” janë plotësisht të angazhuara për të respektuar të gjitha standardet dhe detyrimet ligjore në përgatitjen e këtij procesi kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.
Faleminderit.
Nga ana tjetër kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka njoftuar se 4 muaj përpara zgjedhjeve ndalohet përdorimi i burimeve shtetërore në aktivitete që kanë ndikim elektoral. Zyrtarët ndalohen të promovojnë nga 11 janari në 11 maj, investime të kryera, në rrugë, rindërtim, energjetik dhe çdo sektor tjetër, duke shmangur kështu skenat e inaugurimeve para elektorale me prerje shiritash.
Njoftimi i kreut të KQZ:
Duke filluar nga data 11 janar 2025 deri në datën 11 maj 2025, çdo organ publik ka detyrimin të raportojë paraprakisht në Komisionin Qëndror te Zgjedhjeve, mbi veprimtaritë publike të kryera nga titullari dhe ose çdo punonjës I administratës, apo personeli tjetër I institucionit. Mbi veprimtarinë e institucioneve publike katër muaj përpara datës së zgjedhjeve. Procesi i raportimit të të gjithë veprimtarive me karakter publik nga institucionet publike, qendrore dhe vendore, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore, që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën katër muaj para datës së zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve është detyrim ligjor. KQZ Shqiperi ka përgjegjësinë dhe detyrimin ligjor t’i mbikqyrë, raportojë dhe ndalojë ato.
Të gjithë institucionet publike qendrore e vendore, që ushtrojnë veprimtari të karakterit publik si dhe KQZ e administrata e saj respektojnë të gjitha rregullat normuese që kanë të bëjnë me procesin e njoftimit të veprimtarive publike sipas afateve kohore të vendosura në Kodin Zgjedhor, dhe kryejnë të gjitha procedurat që lidhen me këtë detyrim ligjor, me përgjegjësi e në përputhje me legjislacionin përkatës.