Politikë

'Brenda vitit do të miratojmë ligjin për investimet"! Ministrja Ibrahimaj: Puna në Sazan ka nisur, Zvërneci ende pa projekt

Ibrahimaj ritheksoi edhe një herë se për Zvërnecin ende nuk ka një projekt të miratuar, ndërsa njoftoi se kanë filluar punimet në Sazan

F.I
'Brenda vitit do të miratojmë ligjin për investimet"!
Delina Ibrahimaj

TIRANË-Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka deklaruar gjatë një konference për mediat se qeveria do ta hedhë për konsultim publik ligjin e ri për investimet strategjike, i përshtatur me rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian. Ibrahimaj tha se brenda këtij viti do të miratohet ligji i ri për investimet strategjike.

“Kemi marrë përsipër që brenda këtij vitit të miratojmë ligjin e ri për investimet. Të bëjmë një analizë për të gjithë vendet e BE me qëllim tërheqjen e investime në vendet e tyre. Brenda verës ne do të fillojmë një proces të konsultimit për ligjin për investimet sipas standardeve të BE dhe për tërheqjen e investimeve në zona të disavantazhuara”, u shpreh ministrja.

Ministrja e Ekonomisë u ndal edhe tek dy projektet që kanë hapur një debat të gjerë me protesta prej rreth një muaji, sa i përket ndërtimeve në ishillin e Sazanit dhe Zvërnecit. Ibrahimaj ritheksoi edhe një herë se për Zvërnecin ende nuk ka një projekt të miratuar, ndërsa njoftoi se kanë filluar punimet në Sazan. Ministrja theksoi se po punohet nga arkitektë dhe ekspertë të mjedisit për të hartuar një projekt që do të përmbushë standardet e BE-së për sa i përket mbrojtjes së mjedisit.

“Kemi filluar punën për të bërë disa veprime lidhur me zhvillimin e zonës së Sazanit. Është një ishull që do të mbetet në pronësi të shtetit shqiptar. Në atë projekt, shteti shqiptar do të përfshihet si bashkëinvestitor dhe bashkëpronar. Jemi duke negociuar me kompaninë për sa i përket përqindjes që shteti do të ketë në zhvillimin e projektit. Sapo të kemi një pasqyrë të qartë, gjithçka do të bëhet transparente. Ende nuk kemi një projekt për Zvërnecin. Po punohet nga arkitektë dhe ekspertë të mjedisit për të hartuar një projekt që do të përmbushë standardet e BE-së për sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe që do të bëjë të mundur realizimin e investimit më të madh që kemi pasur në turizëm, në nivelin e 4 miliardë eurove. Për një ekonomi që ka një prodhim të përgjithshëm prej 27 miliardë eurosh, një investim prej 4 miliardë eurosh përbën një nxitje shumë të madhe për ekonominë vendase”-u shpreh Ibrahimaj.

Poll

MOS HUMB