TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste (PS) është mbledhur këtë të hënë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.
Sipas burimeve, mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ka përfunduar pas disa diskutimeve ku kanë marrë pjesë deputetë të mazhorancës dhe drejtues të kabinetit qeveritar. Në pamjet e mëposhtme është momenti kur largohet nga mbledhja kryeministri e njëherësh kryesocialisti, Edi Rama.
Po sipas burimeve, fokusi kryesor i diskutimeve ka qenë axhenda parlamentare e kësaj jave, konkretisht dy seancat plenare që pritet të mbahen ditën e martë dhe të enjten. Gjithashtu janë zbuluar edhe porostië e kryeministrit Rama. Burime nga mbledhja bëjnë me dije se është kërkuar angazhim më i madh i deputetëve lidhur me aktivitetin në rrjetet sociale.
Ndërkohë, nga ana tjetër, një grup protestuesish janë mbledhur para Kryesisë së Kuvendit, në vijim të thirrjes së shpërndarë një ditë më parë në rrjetet sociale. Me thirrjet “Parlament analfabet” dhe “Vdekje tradhtarëve, Shqipëria e shqiptarëve”, protestuesit qëndruan për disa minuta para institucionit ligjvënës dhe më pas u shpërndanë.
/ZËRI