TIRANË- Ish-deputeti demokrat Edmond Spaho i ka drejtuar një meesazh kryeministrit Edi Rama, ku shprehet se dëmi më i madh për vendin do të ishte nëse ai do të largohej nën presionin e protestave. Spaho i bën thirrje Ramës që mos të dorëzohet ndaj presionit të protestave, duke thënë se do t'i bënte një dëm të madh vendit.
Sipas Spahos, tërheqja e Ramës nga drejtimi i qeverisë në këto kushte do të linte Shqipërinë, në duart e forcave siç ai i quan, të atyre që synojnë ta çojnë vendin “një shekull pas”. Në mesazhin e tij publik, Spaho thekson se protestat aktuale, sipas tij, janë të karakterizuara nga qëndrime përçarëse dhe ide që ai i cilëson si “islamisto-fondamentaliste” dhe “antitrampiste”.
Mesazhi i Spahos për Ramën:
Edi Rama,
Kjo nuk është protestë për të lëpirë dhe pickuar vajza e djem të sinqertë në bulevard.
Këtij populli i ke bërë deme të pafund. Në një vend me shoqëri me formim demokratik do kishe ikur me kohë.
Dëmi më i madh që do i bëje ketij vendi nuk janë e shkuara jote, por nëse do të ikje nga presioni i kësaj proteste neomarksiste, islamisto-fondamentaliste, antitrampiste, përçarëse midis shqiptarëve në rajon dhe kunder integrimit të Shqipërisë në BE.
Kujto që dëmi që do i besh vendit, duke e lënë atë në duart e atyre që duan ta zgjedhin qeverinë me short dhe hienave politike që presin të kapin çfarë të kapin, do jetë i tillë që ti nuk do i shpëtosh përgjegjësisë edhe kur ndoshta të mos jesh në këtë botë.
Meqënëse po flet për sinqeritet në bulevard, kujto ëndrat-makth të personazhit të Kadaresë tek Dimri i Vetmisë së Madhe.
Nëse çedon, mos u habit që mund të vijë një ditë që eshtrat e tua t'i tërheqin zvarre në bulevard si në endrrat e atij "reaksionarit".
Në krye te bulevardit ndonjëtrashegimtar i Mark Zavalines do i bjerë violinës.
Duket si fantazi e sëmurë, por ata qe janë të interesuar që ky vend të bëje përpara dhe jo pas, nuk do ta falin nëse çedon nga kjo protestë, synimi i të cilës është ta kthejë vendin një shekull prapa.
Ky mesazh vjen në një kohë kur protestat kundër kryeministrit Edi Rama kanë hyrë në ditën e 29-të, me kërkesën për dorëheqjen e tij që vijon të mbetet në qendër të tubimeve dhe reagimeve publike.
Protesta, e cila fillimisht nisi kundër investimeve në Zvërnec, është shndërruar tashmë në një lëvizje më të gjerë qytetare, ku kërkohet largimi i qeverisë dhe dorëheqja e pakushtëzuar e kryeministrit Edi Rama./ZËRI