TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur për mediat pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar, ku u ndal veçanërisht te protestat që po zhvillohen prej disa javësh në Tiranë.
Balla deklaroi se mbledhja e socialistëve ishte e fokusuar kryesisht te axhenda parlamentare dhe disa kërkesa për mocione me debat, ndërsa komentoi edhe protestën qytetare që ka hyrë në ditën e 30-të.
Në deklaratën për mediat, Balla rikonfirmoi qëndrimin e mazhorancës se protestat para Kryeministrisë janë ndikuar nga faktorë të jashtëm, duke përmendur edhe shtete që ai i cilësoi si “armiqësore”, përfshirë Iranin, si dhe motive që lidhen me konkurrencën rajonale.
“Mbledhja e grupit ishte e fokusuar te agjenda jonë parlamentare dhe, po ashtu, jam informuar nga grupi parlamentar mbi qëndrimin që do të mbajmë mbi disa kërkesa për mocion me debat.
Sa i përket një kërkese të PD-së, e lexuara nga protesta, as nuk e pranoj dhe as nuk e njoh Partinë e Saliut si interlokutore mes nesh dhe protestës.
Respektoj të gjithë ata që do të jenë në protestë me çështje që lidhen me shqetësime për normat mjedisore në një investim jetik për ekonominë e vendit në Zvërnec, që do të bëhet domosdoshmërisht, pasi është një mundësi e madhe. E kam thënë edhe në qëndrimet e mia që brenda kësaj proteste janë përfshirë edhe elementë që edhe kur e frynë dhe tani që u shfry kjo tullumbace… ishin konkurrencë turistike dhe interferenca të huaja armiqësore. Kjo tullumbace ka plasur tanimë në sytë e shqiptarëve.
Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një protestë që lindi për një akt që e ndajmë të gjithë; ajo dhunë në Zvërnec ishte e papranueshme. Sot atë çështje e kanë harruar, të vetmit që flasim tani për këtë jemi ne.
Sot protestën atyre që e nisën ua kanë vjedhur”, tha Balla.
Gjithashtu, Balla është pyetur edhe lidhur me rastin e deputetes së dorëhequr, Marjana Koçeku, dhe nëse ka mbërritur apo jo një njoftim zyrtar prej saj për dorëheqjen. Teksa i përgjigjej pyetjes së gazetarëve, Balla i thirrje deputetes që të dorëzojë mandatin, duke theksuar se, sipas tij, mandati i përket Partisë Socialiste dhe jo një vote personale.
“Për këtë çështje ua kam sqaruar dhe nuk dua t’i kthehem më komenteve për të ushqyer një telenovelë që nuk më pëlqen. Një njeri që nuk di të respektojë ata që e kanë zgjedhur dhe personin në fjalë e ka zgjedhur PS. Të dorëzojë mandatin, s’është person i votuar drejtpërsëdrejti”, tha Balla.