
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka folur për mediat pas përfundimit të mbledhjes së zhvilluar me deputetët në selinë blu. Ai tha se të gjithë deputetët e opozitës do të jenë të pranishëm në seancën plenare.
Ai tha se deputetë do t’i përgjigjen luftës së Edi Ramës dhe nuk do të nënshtrohen. Bardhi shtoi se në seancën e kaluar në Kuvend, nuk u lejuan të futeshin as deputetët e papërjashtur, por nesër do të jetë ndryshe.
"Të dënosh deputetët pa ligj, të përjashtosh gjysmën e opozitës nga Kuvendi është akt antikushtetues, të cilit ne nuk do ti nënshtrohemi. Që nesër në mëngjes do të jemi në seancë plenare. Padyshim që Edi Rama mund të na vërë përballë ushtrine apo policinë. Një vend anëtar i NATO dhe kandidat në BE, që pengon deputetët me forca sigurie shfaq në sytë e cdo qytetari shqiptar tiparet e shtetit që po ndërton Rama. Në seancën e fundit nuk u lejuan të futen në Kuvend as deputetët e pa përjashtuar. Na ka shpallur luftë dhe opozita do t'i përgjigjet luftës së Edi Ramës", tha Bardhi.
Më 7 tetor, opozita protestoi për më pak se 4 orë në rrugët e Tiranës. Nga molotovët e hedhur nga protestuesit u dogj Kryeministria, selia e Partisë Socialiste, Ministria e Brendshme dhe Bashkia e Tiranës. Pas protestës së opozitës në Tiranë, ku u hodhën flakadanë e bomba molotov, janë proceduar penalisht, sekretar i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, kreu i Grupit, Gazment Bardhi dhe sekretari organizativ, Ervin Minarolli. Zyrtarët e PD-së u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”. /ZËRI