
TIRANË- Një tjetër drejtor i Bashkisë Tiranë është thirrur për t'i marrë deklaratë në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Elton Kacidhja, drejtori i UKT-së, ka shkuar herët në mëngjes në Prokurorinë e Posaçme, ku edhe ka qëndruar më shumë se 3 orë për t'u marrë në pyetje nga hetuesi i dosjes "5D", Klodian Braho.
Drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë, pasi ka dalë nga SPAK tha për mediat se ishte thirrur në cilësinë e personit në dijeni por nuk ka dhënë më detaje të tjera. Emri i tij është lakuar shumë shpesh nga Partia Demokratike, e cila kërkon arrestimin e tij. Sipas PD, Elton Kacidhja drejtori i UKT i ka dhënë tenderin e matësave të ujit Klodian Zotos.
Në maj të këtij vitit, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) shkoi në zyrat e Bashkisë së Tiranës dhe në ato të Ujësjellës Kanalizime Tiranë, (UKT) ku ka kryer kontrrolle në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen "5D". Kontrollet janë bërë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organmizuar. Raportohet se pas kontrolleve janë sekuestruar disa dokumente.
Sipas gazetarit Elton Qyno, i cili shkruan për "OraNews", Elton Kacidhja, është një prej drejtorëve kryesorë të Bashkisë së Tiranës që del në komunikimet me biznesmenin Nestor Muhametllari, pronari në letra i kompanisë “5D Konstruksion”. Komunikimet mes tyre në rrjetin social “whats App”, kanë zgjatur 3 vite, nga 2020 deri në 2023; në këto mesazhe vazhdimisht lënë takime në zyrë apo dhe në ambiente të tjera. Sipas SPAK, të krijohet përshtypja se ka një marrëdhënie shumë të afërt bashkëpunimi ndërmjet tyre.rave.
“...Vazhdimisht ato lënë takime me njëri-tjetrin në zyrë apo edhe jashtë saj. Ata komunikojnë për projekte, për prokurimin e rikostruksionit të shkarkuesit katastrofik të ujëmbledhësit, rezervuari “Allgjatë”, projekte për rezervuar “Gjuslikonjë”, informacione mbi problemin e digës “Gjysylkanë”, shkëmbejnë dokumente me mesazhe, para dhe pasi zhvillohet procedura e prokurimit publik. Komisioni ka paraqitur raportin përmbledhës për ecurinë e procedurës së prokurimit me nr. 15398/4 të datës 18 nëntor 2020, i cili është miratuar nga Elton Kacidhja, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor. Autoriteti kontraktor ka shpallur formularin e njoftimit të fituesit në datën 18 nëntor 2020,”-thuhet në dosjen e SPAK.
Dosja "5D"
Sa i përket dosjes "5D" Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, janë ende në “Arrest me burg”. Ndërsa të tjerët Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zere dhe Deborah Keçi janë lënë nën masën “Detyrim paraqitje”. “5D Construction” ka fituar të paktën 16 tendera në Bashkinë e Tiranës dhe në institucionet e varësisë, përfshirë Ujësjellës-Kanalizime dhe “Tirana Parking”, me një vlerë prej afro 11 milionë euro. Nga hetimet rezulton se Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, Eduart Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhamellari, si ortakë fiktiv. Madje, në katër procedura, kur Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, ka patur edhe cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qenë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për kompaninë e tij.
Tushe, nga ana tjetër akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” dhe e ka favorizuar. Elantina Zere në cilësinë e titullares së “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion”. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Debora Keçin, në cilësinë e titullares së Klubit Sportiv “Tirana”./ZËRI