TIRANË- Për më shumë se 2 orë në Komisionin Hetimor për koncensionet në Shëndetësi ka pasur debate dhe përplasje mes palëve. Kryesorët ishin kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi dhe nënkryetarit, Plarent Ndreca. Ky i fundit, deklaroi hapjen e mbledhjes pa mbërritur kryetarja, e cila ishte jashtë sallës duke tentuar që të kalonte edhe deputetët e tjerë të opozitës në sallë. Por për shkak se janë përjashtuar për 20 ditë nga punimet e Kuvendit, Garda e Republikës nuk i la që të futeshin brenda. Duke tentuar futjen brenda, Vokshi u vonua dhe mbledhja nisi pa të, e po ashtu Ndreca kishte nisur marrjen në pyetje të Gentian Oprës.

Në shenjë revolte, Albana Vokshi i hodhi 4 herë mikrofonin Ndrecës, ndërsa ky i fundit e ofendoi duke e quajtur "rrugaçe". Edhe pse përplasej me Ndrecën, sërish Vokshi ka kërkuar largimin e dëshmitarit, ndërsa ka ndërhyrë edhe Petro Koçi. Ky i fundit e akuzoi Vokshin se po intimidonte dëshmitarin.
Por në një moment, në derë futet edhe deputeti Erion Braçe, i cili edhe pse nuk dëgjohet se çfarë thotë, shkakton të qeshura mes socialistëve.
"Ec o Erjon tani, mësoje pak se këto rishtarët nuk e dinë. Të kam shpirt. Ec o Erjon. Të thirri për ndihmë. Mësoje pak si të mbajë pozicionin e nënkryetarit,"-i thotë Vokshi nga vendi.
DEBATI I PLOTË MES TYRE:
Albana Vokshi: Kush je ti mo, nuk je kryetar këtu dhe nuk e drejton këtë komision, unë te dera dhe ti guxon të fillosh mbledhjen.
Plarent Ndreca: Një njeri normal nuk i bën këto. Mbylle atë mikrofon dhe të të vijë turp.
Albana Vokshi: Të të vijë turp ty dhe gjithë deputetëve që nisin mbledhjen, kur kolegët rrinë të dera.
Plarent Ndreca: Do ulesh të drejtosh mbledhjen apo të vijoj. Mos u sill si e fortë. Do sillesh si kryetare.
Albana Vokshi: Në vend se të mbroni kolegët...
Plarent Ndreca: Kolegët që hedhin molotv nuk i mbrojmë ne
Albana Vokshi: Do jesh i pari që do e hash! Ti do të jesh i dyti në radhë të shkosh aty ku ka shkuar Ilir Beqaj
Petro Koçi: Ti ke kërcënuar dëshmitarin, ti duhet të mbash përgjegjësi
Albana Vokshi: Nuk ka nisur mbledhja akoma. Të dalë dëshmitari.
Ndreca: Jo nuk del se ka nisur mbledhja
Albana Vokshi: E hap kryetari mbledhjen. Ju ra prapë skenari. Të dalë dëshmitari. Nuk e hap dot mbledhjen pa mua.
Ndreca: Kemi marrë një vendim, kemi miratuar proces-verbalin. Kemi bërë edhe deklaratën e betimit. Ne kemi nisur procesin e pyetjes tani. Më lër të punoj
Albana Vokshi: Ti punon duke vjedhur
Ndreca: Po ke këllqe shkon në gjykatë. Se atje shkruani SMS. Mos t'ua tregoj tani mesazhet
Albana Vokshi: Tregoi more! Këtu mua seanca më ka zgjedhur që të bëjë kryetaren, ti pa mua nuk e nis dot. Të dalë dëshmitari. Nuk e nis dot pa mua. Unë tek dera dhe ju nisni mbledhjen. Po pse? Ku jemi këtu?
Plarent Ndreca: Ti je e fortë, ti prish mikrofonat. Do hapësh mbledhjen apo do e mbyllësh?
Albana Vokshi: Do e hapim!
Plarent Ndreca: Po është hapur tashmë!
Albana Vokshi: Jo do dali dëshmitari.
Plarent Ndreca: Gjithmonë ju kemi pasur përballë dhe ju kemi rrahur
Ilir Metaj: Janë mazokista, ndjejnë kënaqsi nga dhimbja. Zonjë je talent i spikatur në shkulje mikrofonash
Albana Vokshi: Aman fole ti...Vetëm ti qesh me ato që thua
Pavarësisht debateve që vijuan pa ndërprerje për gati dy orë, mazhoranca vijoi të merrte dëshmitë e Gentian Oprës dhe Arjana Dyrmishit, ndërsa Vokshi u kërkoi ta ndërpresin me argumentin se është nul. Por teksa dëshmitarja e dytë po fliste, Vokshi tha se mbledhja është e mbyllur, dhe u largua nga mbledhja, ndërsa Ndreca njoftoi disa minuta pushim, për të rifilluar marrjen dëshmive. Opra dhe Dyrmishi floën, ndërsa për shkak të mungesës së Mimoza Dhëmbit, nënkryetari Ndreca hodhi në votim ndërprerjen e mbledhjes, e cila u votua vetëm me votat e maxhorancës.
Ndërkohë, pas mbledhjes u zbulua se sherr ka pasur edhe jashtë sallës, para se të niste Komisioni. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste pretendon se socialistja Milva Ekonomi u dhunua, duke u shtyrë nga Ina Zhupa dhe Xhelal Mziu. Për të dënuar aktin, gratë socialiste dolën me një reagim zyrtar.
"Ngjarja e ndodhur sot në Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nga pamjet e regjistruara që tregojnë qartë kur deputeti Xhelal Mziu shtyn me forcë kolegen tonë Milva Ekonomi, është një ngjarje e shëmtuar dhe e dënueshme. Ky akt dhune është një sulm jo vetëm ndaj një kolegeje, por edhe ndaj parimeve që duhet të udhëheqin punën tonë. Kur ky akt i papranueshëm ndodh në ambientet e Kuvendit ndaj një deputeteje grua, është akoma më i rëndë pasi dëmton dinjitetin dhe të drejtat e të gjitha grave dhe vajzave që ushtrojnë funksione publike dhe atyre që kontribuojnë në jetën politike e mbi të gjitha cënon standardet morale dhe etike të përfaqësuesve të zgjedhur. Ky akt dhune cënon njëkohësisht edhe institucionin e Kuvendit, si një institucion ku duhet të tregohet me të gjitha format fryma e tolerancës, e respektit, e etikës ndaj kujtdo, e veçanërisht ndaj grave deputete. Kuvendi është vendi ku qytetarët dhe e gjithë shoqëria presin të shohin nga ne modelin e parë të respektit, tolerancës, komunikimit civil dhe që luftojmë jo me forcën e muskujve por me forcën e argumentit. Si deputete të këtij Kuvendi kemi detyrimin të respektojmë ligjet dhe standartet që i kemi miratuar bashkarisht, të parashikuara në rezolutat e Kuvendit, si dhe të gjitha detyrimet ndërkombëtare të bëra pjesë e legjislacionit tonë, përfshirë Konventën e Stambollit, Rezolutat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për përgjegjësinë tonë në luftën kundër dhunës ndaj grave, gjuhës së urrejtjes dhe intolerancës. Ne, gratë deputete të Partisë Socialiste, anëtare të Aleancës së grave deputete të Kuvendit të Shqipërisë, dënojmë këtë akt të rëndë dhune, pasi akti i sotëm i dhunës ndaj një gruaje në politikë nuk është vetëm një sulm ndaj një kolegeje, por një sulm ndaj të gjitha grave që kontribuojnë dhe luftojnë për një shoqëri më të drejtë që respekton gratë dhe të drejtat e tyre."
Reagimi u ndoq nga një apel për dialog nga kreu i grupit parlamentar, Niko Peleshi. Përgjigjen e mori nga "homologu" opozitar Gazment Bardhi, i cili u shpreh se mes palëve nuk do të ketë asnjë diskutim.
Ngritja e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u ngrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit./ZËRI

