BERAT- Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim konsultues publik në Berat, në kuadër të Reformës Territoriale. Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama ka publikuar një video duke ndarë pamje nga takimi, ku foli për ndryshimet e mundshme në organizimin territorial dhe shqetësimet e banorëve.
Kreu i qeverisë sqaroi edhe një herë se në rast të bashkimit të njësive administrative, shërbimet për qytetarët nuk do të largohen nga zonat ku ofrohen aktualisht. Rama theksoi se godinat dhe shërbimet do të vijojnë të funksionojnë, ndërsa ndryshimi kryesor do të jetë se këto njësi nuk do të kenë më një kryetar bashkie të zgjedhur drejtpërdrejt.
"Sot në Berat, ku kokëfortësia kolektive e Poliçanit dhe këmbëngulja e disa zonjave të mirëpërgatitura të Dimalit, i dhanë diskutimit shijen e një ballafaqimi të posaçëm", shkruan Rama krahas videos, duke iu referuar diskutimeve të raportuara nga takimi.
"Më thoni çfarë mendoni ju se do të dëmtohet në rast se do të bëhet bashki. Kur më thua rruga, e më thua shërbimi, këto nuk ndryshojnë. Nuk do të ikin shërbimet nga Poliçani, nga Dimali ose nga askund. Përkundrazi, këto nuk ndryshojnë. Në raport me çfarë keni, ndryshon vetëm një gjë; nuk do të keni kryetar bashkie të zgjedhur. Nuk ndryshon godina, nuk ndryshon stafi, nuk ndryshon numri i shërbimeve që bëhen, në kuptimin nuk ulet, se duhet shtuar. Ti thua distanca? Ça lidhje ka distanca? Ato shërbime që ti merr sot në Poliçan ose në Dimal, do t’i marrësh po aty. Pra, bashki, qytet, njësi administrative. Dhe qyteti Poliçan, qyteti Dimal do të kenë drejtuesin e tyre, do të kenë këshilltarët e tyre në Këshillin Bashkiak të bashkisë Berat, me kuota.
Më thoni dhe një gjë tjetër, komunat janë më mirë sot apo ishin më mirë kur ishin veç, se këto biseda unë i kam dëgjuar “mot a mot” në kohën e reformës 2015; “do na ikë kjo, do na ikë ajo; jo distanca; ohu, sa larg është Poliçani, ne jemi këtu te komuna jonë; sa larg është qendra e Urës, ne jemi te komuna jonë; ne kemi këtë, kemi atë, kemi kryetarin e komunës...
Ndodhi ndonjë gjë e kësaj natyre? A janë sot, a kanë marrë më shumë investime komunat se ç’bënin më përpara apo kanë marrë më pak? Investimet e komunave nga iu erdhën? Nga vetja? Iu erdhën nga bashkimi", tha Rama.
Më herët, u raportuan debate dhe tensione në këtë mbledhje. Dëgjesa është zhvilluar në ambientet e brendshme të një hoteli në Berat, me një përfaqësi qytetarësh nga Poliçani, mes të cilëve ishte dhe aktorja Egla Ceno. Kjo e fundit, në një prononcim për mediat pas mbedhjes, ka konfirmuar debatet dhe faktin që ka dalë jashtë pas kërkesës së kryeministrit Rama. Sipas saj, gjithçka ka nisur pasi aktorja ka kërkuar që të dëgjohet fjala e qytetarëve, ndërsa Rama i ka kërkuar të lërë sallën dhe ka ndërerë mbledhjen deri në largimin e saj. Por, në shenjë proteste, bashkë me Cenon janë larguar edhe qytetarët e tjerë./ZËRI

