TIRANË- Kryeministri i vendit Edi Rama ka folur pas mbajtes së koncertit që u mbaj mbrëmë në Tiranë nga artisti me famë botërore Kanye West. Rama u shpreh se një furi dhune u lëshua kundër koncertit, ndërsa sipas tij Shqipëria organizoi një ngjarje.
“Mbrëmë Shqipëria nuk organizoi vetëm një koncert. Shqipëria organizoi një ngjarje. Që falë kanaleve sociale dhe famës globale të protagonistit, u bë në çdo cep të botës një lajm. Por në Shqipëri zakonisht këtë herë edhe më shumë se sa zakonisht, arsyeja dihet, ngjarja u bë një motiv i një ndasie shumë të egër. Ku një furi dhune dhe marrëzie u lëshua kundër një koncerti. U bë një jetë që sa herë jam përpjekur të bëj diçka të bukur, diçka ndryshe, diçka të re përmes projekteve publike kam dëgjuar të njëjtin refren. Populli s’ka bukë, nuk na duhen fasadat, pensionistët po vdesin, varfëria është në kulm, s’duam koncerte. Dhe pas klithmës së kundërshtisë fillojnë gjithmonë llogaritë absurde”, tha Rama.
Ai foli edhe për investimin prej 4.2 mln eurosh ku sipas tij, këto para do të kthehen pas më shumë për shkak se sipas tij ndikon drejpërdrejt në mbledhjen e të ardhurave nga hotelet, restorantet dhe nga turistët që zgjodhën ta ndjekin nga afër koncertin.
Kreu i shtetit tha se investimi u bë në “minuti të fundit” për të shpëtuar investimin shumë më të madh për vendin, për ekonominë e Tiranës dhe mijëra njerëz nga vendet e ndryshme të botës që kishin prerë biletat për koncertin. Sipas tij, fondi prej 4.2 mln urosh nuk do të dilte nga arka e shtetit po të mos ishin bërë kërcënimet dhe fushata e bullizmit online.
View this post on Instagram
Rama tha se protesta krijoi një impakt negativ pas muajit maji, pasi u anulluan qindra mijëra prenotime nga turistët për shkak të pasigurisë që krijoi protesta. Sipas tij, koncerti i West nuk duhej anulluar edhe pse protesta u fut dje në ditën e 42-të të saj, pasi vendi do humbte të ardhura të mëdha po ashtu edhe prestigjin ndërkombëtar turistik.
“Shqipëria e sotme, duhet të pyesë, sa vlerë krijohet nga ky investim. Mos harroni, ka një varfëri shumë më të madhe, sesa mungesa e të ardhurave të mjaftueshme, varfëria e asipratave. Varfëria nuk luftohet duke mos bërë koncerte, por edhe duke bërë koncerte. Mirëqënia rritet duke krijuar vlerë, duke tërhequr kapital, ide, njerëz. Pensionet nuk paguhen nga pesimizmi, spitalet nuk ndërtohen nga refuzimi i çdo nismë të madhe. Mirëqënia lind nga guximi për të parë më larg, për të synuar më lart, duke krijuar më shumë vlerë. Edhe dy fjalë për 4 milionë eurot. Hedhin papushim helm, nga pensionistët deri tek më të rinjtë, duhet të ekspozohen se ato 4 milionë euro ishin investim në minutën e fundit, për të shpëtuar investimin për Shqipërinë. Investim për të mos hapur një plagë mosbesimi ndaj një Shqipërie, ku i kanë sytë të gjithë. Ato 4 milionë euro nuk do kishin dalë, por të mos ishin bërë kërcënime, shantazhe, histeria e dhunshme e rrjeteve sociale, ku një pakicë njerëzish mendojnë se mund të imponojë qeverinë, sipërmarrjeve, që nuk mendojnë si ata. Populli flet me votë. Janë aventurierë të kapur”, u shpreh ai./ZËRI