
TIRANË- Gjykata Kushtetuese zhvilloi sot seancën dëgjimore lidhur me ligjin për "Zonat e Mbrojtura". E para që nisi të shpjegojë ankimimin e bërë në organin më të lartë gjyqësor të vendit, ishte deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.
Në prezantimin e saj, ajo ka shpjeguar se drafti në Kuvend, edhe pse pa nevojë, u dërgua për miratim në Këshillin e Ministrave. Po sipas saj, drafti u kthye i ndryshuar, por edhe me kosto financiare. Po ashtu, në ankimimin e saj, Partia Demokratike thekson se ligji bie në kundërshtim me nenin 59 të Kushtetutës, që garanton ruajtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm, ndërsa shoqëria civile e cilëson këtë ndryshim si “kapje të natyrës nga interesat ndërtimore”, duke përmendur rastet e Lagunës së Karavastasë, Luginës së Vjosës, Divjakës, Rradhimës, e të tjera zona ku është raportuar presion mbi biodiversitetin.
DISKUTIMET NË SALLË:
Ina Zhupa: Gjykata thotë se është e drejtë Kushtetuese transparenca dhe përfshirja e publikut në veprimtarive që sjellin ndikime në mjedis. Ligji për zonat e mbrojtura erdhi në Kuvend si iniciativë e 12 deputetëve. Sollën një draft që nisi të diskutohej në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese. Ky draft, ndryshe nga sa e parashikon procesi ligjvënës, siç kishte ardhur nuk kishte kosto financiare. Pavarësisht se nuk kishte kosto, Kuvendi vendosi që ta çonte në Këshillin e Ministrave për ta zëvë në veprim. Në Kushtetutë parashikohet që të dërgohet në Këshill kur ka kosto financiare. Këshilli i Ministrave sjell një draft të ri dhe në bazë të këtij drafti të ri, që u bë VKM, Kuvendi nisi dhe vazhdoi procedurën për zonat e mbrojtura. Mirëpo drafti kishte dhe një problematikë tjetër, kishte dhe kosto financiare sepse duhet të ngriheshin zyrat e administrimit. Përsëri u miratua nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, pa bërë asnjë proces konsultimi për këtë version të ri të ligjit. Zonat e mbrojtura kanë kuptim kur kanë mbrojtje, jo kur kanë kufizim. Ligji i ndryshuar bën efektin e kundërt, çon në prishjen e këtyre zonave. Ne kemi argumentuar se nuk arrihet që të garantohet ajo që kërkon Kushtetuta.
Holta Zaçaj: Ligjin ne e kemi para, a mundesh që të tregosh aspektet Kushtetuese që prekët gjithë ato arsyetime që përmendi. A mund të tregoni "sa i keq" është ligji me argumente Kushtetuese? A tregoni si një dispozitë konkrete bie ndesh me një dispozitë që bie në kundërshtim me një rezolutë.
Dorian Matlija: Duke lejuar një set dispozitash, këtu bie ndesh me konventat ndërkombëtare. Ka standarte të IUCN. Edhe konventat e tjera që kërkojnë në mënyrë parimore, kërkojnë ekspertizën e IUCN. Në fund fare, duke lexuar të gjithë këto dispozita shihet që është qëllimi për t'i dhënë mundësi zhvillimit sesa mbrojtjes së natyrës që është shkelja bazë dhe kryesore.
Marjana Semini: Në analizën që keni bërë për të përcaktuar densitetin dhe intensitetin, kemi praktika të mira që mund të jenë analizuar në vende të ngjashme me ne apo jo? Sepse ligji ka edhe mbrojtjen dhe zhvillimin për të gjetur raportin e drejtë them...
Ina Zhupa: Kur vjen propozimi për një ligj, këtë analizë duhet ta sjellin palët që e propozojnë. Këshilli i Ministrave duhet të thoshte që në raport me këto zona, apo me një model europian. Këtë nuk e ka sjellë Këshilli i Ministrave. Sot tendenca e shteteve europiane është që të shtojnë zonat e mbrojtura që garantojnë edhe një shëndet më të mirë. Koncepti i zhvillimit që ka qeveria shqiptare nuk gjendet në asnjë vend tjetër europian. Vetë mënyra sesi janë paraqitur ndryshimet e thotë qartësisht: Roli i ri i KKRT zhbën çdo kompentë të Ministrisë dhe e trajton njësoj si një tokë në mes të Tiranës, si një tokë në parkun e Butrintit.
Holta Zaçaj: Nëse keni praktika në vende të tjera...
Ina Zhupa: Në asnjë vend të BE nuk ka standarte të njëjta. Në Itali e ke të pamundur që edhe një strukturë druri e ke të pamundur që ta ngresh pa marrë leje.
Gent Ibrahimi: Kushtetuta ofron mbrojtje për mjedisin në dy nivele. Ju thatë në 4 raste KKT ka dhënë leje për ndërtime të rënda, si është e mundur që mbrojtja si u dhanë këto leje të kontestuara?
Ina Zhupa: Bëhet fjalë për vendimmarrje që janë mbas miratimit të ligjit të ri. Bëhet fjalë edhe për vendimmarrje që diskutohen publikisht për të dhënë investime strategjike përsëri në zona të mbrojtura. Jo vetëm që nuk lejohet me ligj, por ligji e ka të qartë edhe ndalimit. Ajo që ndodh me shembullin që iu solla, me ligjin e 2017, nuk do kishim investim strategjik në Butrint, Lëkurës, Zvërnec, me ligjin e ri kemi. Qartësisht ligji i ri zgjidhi një problem të oligarkëve dhe qeverisë, jo të zonave të mbrojtura.
Sonila Bejtja: Sa leje janë kërkuar dhe dhënë, sa janë ndërtuar nga kalimi i ligjit në këto zona të mbrojtura? A ka të drejtë ekzekutivi që të rishikojë zonat e mbrojtura? Ligji është statik apo ka mundësi rishikimi?
Ina Zhupa: Unë i referohem 12 vendimeve të marra nga Këshilli i Ministrave përkatësisht për zonat Bjeshkët e Oroshit, Krastën, liqeni i Pogradecit. Me ligjin e vjetër nuk do të kishim kulla pranë liqenit. Po ligji mund të ndryshojë, por nuk bëhet me vendim qeverie, por me ekspertizë. Janë ekspertët që duhet të marrin masa që zona të mos degradojë, por të ruhet.
Fiona Papajorgji: Kur ju thoni që investimi kryesor janë investimet strategjike, mund të na thoni disa dispozita konkrete se ku bazohen pretendimet tuaja?
Ina Zhupa: Çdo nen dhe ndryshim, ka vetëm një qëllim në mënyrë integrale: hapjen e rrugës për ndërtime në zonat e mbrojtura. E gjen në relacion. Ligji i parë nuk garantonte ndërtim, nuk i lejonte. Dhe gjithë qëllimi i këtyre ndryshimeve, ishin ulja e mbrojtjes, tjetërsimi i zonave të mbrojtura dhe kthimi në zona ndërtimore. Nuk gjej dot një ekspert që thotë që ndërtimi në një zonë të mbrojtur nuk prek florën dhe faunën. Nuk e gjejmë në botë. Ky ligj prek ekosistemet në zonat e mbrojtura. Cënon edhe tërësinë në zonat e mbrojtura.
Holta Zaçaj: Ju thoni që nuk duhej kërkuar mendim nga Këshilli i Ministrave?
Marash Logu: Ne kemi vlerësuar se ka një problem, është sepse nisma ligjore kishte efekte financiare, por nuk kishte asnjë efekt të tillë. Nuk ka një raport financiar që përligj këto ndryshime.
Ina Zhupa: Mjafton fakti i thjeshtë që projektligji i deputetëve nuk kishte efekte financiare, dhe tjetri nuk kishte, për të kuptuar se kemi të bëjmë me dy drafte të ndryshme.
Dorian Matlija: Nga materiali që kemi dërguar kemi përfshirë edhe faktin që 56 organizata kanë bërë thirrje që të bëhen pjesë e konsultimit dhe duke qenë se nuk janë përfshirë, kanë protestuar para Kuvendit.
Ç'mund të vendosë Gjykata?
Nëse Gjykata Kushtetuese i konsideron ndryshimet si në përputhje me Kushtetutën, ligji do të mbetet në fuqi, duke legalizuar mundësinë që në zona të mbrojtura të zhvillohen projekte me ndikim të madh në territor. Pranimi i ligjit mund të hapë rrugë për ndërtime me përmasa të mëdha në zona që deri tani kanë qenë të paprekshme për nga statusi i tyre mjedisor. Kjo sepse ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë në fillim të këtij viti lejojnë që në zonat e mbrojtura të mund të ndërtohen projekte të konsideruara me interes publik, përfshirë infrastrukturë rrugore, linja energjetike, hidrocentrale apo zhvillime të tjera që mund të jenë pjesë e programeve strategjike. Kritikët e ligjit e shohin këtë si një derë të hapur për ndërtime të karakterit privat, përmes formulimeve të paqarta dhe kontratave koncesionare. Nëse, përkundrazi, ndryshimet shpallen antikushtetuese, do të rivendoset mbrojtja e mëparshme ligjore, duke ruajtur zonat si pasuri natyrore me regjim të rreptë./ZËRI