
TIRANË- Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, është paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo është e hera e dytë që Bufi shkon në Prokurorinë e Posaçme, por kësaj herë, qëndroi brenda godinës shumë shkurt, për vetëm 20 minuta.
Pas daljes nuk pranoi që të flasë për gazetarët, por shumë shkurt u shpreh: Kur të flasë drejtësia!
Ende nuk dihet se për cilën çështje është akuzuar Bufi, pasi ndaj saj ka disa kallëzime penale. Herën e fundit që ajo ishte në SPAK, Bufi dha shpjegime për investigimin nga "Piranjat", ku shfaqej kryebashkiakja e Roskovecit që i bënte presion me shkarkim nga puna një pastrueseje e cila kishte marrë pjesë në një nga mitingjet e opozitës. Ndërsa në një rast të dytë, Bufi i kërkonte llogari një qytetari pse kishte shprehur mbështetje në rrjetet sociale për rivalin e saj në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023.
Edhe PD ka bërë një kallëzim penal për të në SPAK, ku e akuzon Bufin për penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”. Në kallëzim shpjegohen shkeljet që sipas PD, kryebashkiakja e Roskovecit ka kryer me dashje dhe personalisht gjatë fushatës zgjedhore kundër punonjësve të administratës publike për t’i penguar ata të votojnë lirisht – shkelje si kërcënime, presione dhe shantazhe./ZËRI