TIRANË- Kuvendi do të mblidhet sot në orën 10:00, ku në fokus do të jetë harta e re territoriale, pjesë e projektligjit të PS-së që parashikon 46 bashki.
Projektligji është kundërshtuar tashmë jo vetëm nga opozita, pasi dy deputetë socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kanë dalë kundër ndarjes së re dhe shkrirjes së 15 bashkive. Për të plotësuar numrin e nevojshëm të votave, në seancë pritet të jenë edhe kryeministri Edi Rama dhe Belinda Balluku, të cilët nuk dihen nëse do të jenë të pranishëm në sallë.
Ndërkohë, paralelisht jashtë Kuvendit do të zhvillohen edhe dy protesta. Njëra është thirrur nga opozita, ndërsa tjetra nga “Flamingot”.
Në rendin e ditës parashikohen edhe katër interpelanca. E para është një interpelancë urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Dy interpelanca të tjera janë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ndërsa interpelanca e katërt është me ministrin e Financave, Petrit Malaj, e kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
Gjithashtu, edhe e 8 projektligje të tjera parashikohen në rend dite veç ‘Territoriales’ si dhe 2 projektvendime, një prej tyre për ngritjen e një komisioni hetimor për ‘KAYO.’
Axhenda e plotë:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 8.10.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 5.10.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Ermal Pacaj.
5. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
6. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
7. Projektligji "Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë"
8. Projektligji "Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025".
9. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar".
10. Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë"
11. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 133/2013, "Për sistemin e pagesave".
12. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar".
13. Projektligji "Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale". 14. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 52/2025, “Për markat tregtare".
15. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/2025, "Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë"
16. Projektvendim "Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit, "Për kontrollin e ligjshmërisë të veprimtarisë së shoqërisë shtetërore "KAYO" sh.a., në drejtim të marrëveshjeve të bashkëpunimit, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake".
17. Projektvendim "Për disa ndryshime në vendimin nr. 87/2026, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit'"". 18. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.