TIRANË- Pas intervistës së kryeministrit të vendit, Edi Rama, në televizionin britanik Channel 4, ka ardhur edhe reagimi i kreut të opozitës, Sali Berisha.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha është shprehur se Rama u vu në vështirësi nga pyetjet e gazetares Lindsey Hilsum, e cila, sipas tij, i “çmontoi narrativën” lidhur me projektin në Zvërnec. Kreu i demokratëve shkruan se Rama po mbijeton politikisht vetëm me gënjeshtra.
“Kur nuk ke turp, thua çdo gjë dhe bën çdo gjë! Gazetarja e njohur e Channel 4, Lindsey Hilsum, ia çmonton në pak minuta narrativën Edi Ramës. Fillimisht, Rama pretendon se nuk ka asnjë projekt. Vetëm pak çaste më vonë, nis të flasë për vetë projektin. Një kontradiktë që flet më shumë se çdo koment. Gënjeshtra mbetet e vetmja mënyrë mbijetese politike që ai njeh”, shkruan Berisha në Facebook.
View this post on Instagram
Çfarë deklaroi Rama në intervistë?
Kryeministri Edi Rama dha detaje për televizionin britanik Channel 4 lidhur me njohjen me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, si dhe interesimin e tyre për investime në Shqipëri, konkretisht në zonat e Sazanit dhe Zvërnecit. Rama tha se është njohur me çiftin në vitin 2020, gjatë një ndalese të një jahti në Shqipëri, ndërsa interesimi konkret për mundësi investimi ka nisur më vonë, gjatë takimeve në Davos, ku Kushner ka shprehur interes për potencialin e vendit.
Duke folur për Sazanin dhe Zvërnecin, kryeministri sqaroi se ende nuk ka një projekt përfundimtar dhe se materialet e publikuara online kanë qenë vetëm prezantuese. Ai theksoi se qeveria po kryen të gjitha vlerësimet e nevojshme, përfshirë ndikimin mjedisor, me synimin që investimet të sjellin zhvillim dhe rigjenerim të zonave, pa dëmtuar natyrën. Rama përsëriti gjithashtu se çdo projekt do të jetë në përputhje me standardet dhe direktivat e Bashkimit Europian, duke i cilësuar shqetësimet e ngritura gjatë procesit të integrimit si pjesë normale të këtij rrugëtimi.
Gjatë intervistës, Rama foli edhe për protestat që prej dy muajsh po zhvillohen në Tiranë kundër këtyre investimeve. Ai tha se qeveria po reflekton për shqetësimet e qytetarëve, ndërsa solli në vëmendje edhe raste nga e kaluara kur protestat paqësore në Shqipëri janë përballur me dhunë nga shteti. Intervista u zhvillua në një kohë kur debati publik për projektet në Sazan dhe Zvërnec vijon të jetë i fortë, me qytetarë dhe aktivistë që kërkojnë transparencë dhe kanë ngritur kërkesa politike ndaj qeverisë./ZËRI
