TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme për mediat, ka akuzuar vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramën, se qëndron pas një skeme për përfitimin në mënyrë të paligjshme të licencës së një kazinoje në Tiranë.
Sipas Berishës, bëhet fjalë për një kazino, licenca e së cilës është marrë nga persona që, sipas tij, kanë shërbyer si prestanome të Olsi Ramës.
Ai foli edhe për skemën e blerjes së një toke në Kepin e Rodonit. Sipas tij, Partia Demokratike ka siguruar dokumente që tregojnë se një tokë e blerë për 320 mijë euro u rivlerësua në 26 milionë euro brenda 60 ditësh dhe më pas u përdor për të siguruar licencën e kazinosë.
Kryedemokrati njoftoi se Partia Demokratike do të dorëzojë në SPAK dosjen e plotë, së bashku me dokumentet që, sipas tij, faktojnë implikimin e Olsi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij në afera që lidhen me lojërat e fatit dhe pastrimin e parave.
“Sot jemi këtu për të paraqitur para medieve dhe opinionit publik shqiptar një nga aferat më të padëgjuara, afera që tejkalojnë çdo lloj imagjinate.
Por natyrisht jo në narkoshtetin e Edi Ramës, në familjarët e tij, bëmat e tyre.
Tashmë janë bërë të njohura për publikun pasioni i çmendur i Olsi Ramës për lojërat e fatit. Pasioni i tij i çmendur për call-centerat. Pra për ët gjitha mënyrat e plaçkitjes së qytetarëve.
I pangopur!
E vërteta është siç e kam deklaruar dhe siç është faktuar lidhja e tij me grupin e Xibrakës, është një ndër lidhjet më kriminale që mund të ketë njeri.
Sot këtu ju do dëgjoni, edhe njëherë kthehet në skenë ajo që dikur unë e kam quajtur kulla Kristaq Rama apo kulla e Air Albania.
Në atë kohë ne e kemi denoncuar ndërtimin e saj, por siç thotë populli, dardha e ka bishtin mbrapa.
Aq sa është e paligjshme kulla, po aq e paligjshme është aktiviteti i saj dhe dhënia e licencës për kazino me dokumente personave që nuk mund ta merrnin kurrë po të mos ishin prestanome i Olsi Ramës.
Ndaj dhe unë u ftoj ju të ndiqni ekspozenë e një investigimi që zoti Belind Këlliçi dhe grupi i ekspertëve tanë kanë bërë për një aferë, thashë edhe njëherë, që tejkalon çdo lloj imagjinate.
Besoj se me dokumente të pakundërshtueshme faktohet implikimi i rrethit të Edi Ramës, vëllait dhe shokëve të tij, në afera bixhozi, larjesh parash, licencimesh që nuk mund të ndodhin kurrë përveçse në familjen kryeministrore në Shqipëri.
Nuk mund të lëshohen licencat…
Unë e kam denoncuar me kohë atë, e kam quajtur kulla Kristaq Rama. Nuk ka asnjë përgënjeshtrim të vërtetë, real.
Dhe tani, urdhëroni mega-aferën e një mafie të rrezikshme me tentakula nga familja Rama në Miçigan tek venezuelasit, etj, etj.
Sigurisht që dosja do të dorëzohet në Skap dhe pa dyshim do ketë fatin e Xibrakës ku Olsi Ramës u faktua si eksponent kryesor i grupit të Xibrakës, u faktua se po në këtë kontekst bëri mashtrim publik pasi deklaroi pas denoncimit të zotit Bardhi dhe denoncimeve të mia të dokumenteve të kompjuterit për kalimin e kufirit me makinën e grupit të drogës, deklaroi se e ka përdorur vetëm njëherë, në një kohë kur këtu janë dokumentet e përdorimit të saj shtatë herë. Dhe sipas të dhënave të tjera, është përdorur 15 herë nga Olsi Rama.
Por ky denoncim i sotëm është një kontribut i jashtëzakonshëm që shqiptarët të kuptojnë se me kë kanë të bëjnë, me çfarë klani të rrezikshëm, çfarë familje të rrezikshme kanë në krye të qeverisë.
Urdhëroni pra.
Blihet 300 mijë, shitet 26 milionë, përdoret për këto qëllime, përdoret për ato qëllime, gjëra të cilat as në veprat e realizimit fantastik nuk mund të shkruhen sepse shndërrohen në komedi, e humbasin komplet besueshmërinë.
Natyrisht duke përgëzuar zotin Këlliçi dhe gjithë ekipin që është marrë me investigimin e kësaj afere, kryqëzon përfundimisht vëllaçkon e Ramës dhe enturazhin e tij, ne do bëjmë detyrën tonë, ne do ta dërgojmë me këto të dhëna dhe të tjera në organet e prokurorisë speciale.
Sa ju thashë dhe në fillim të konferencës, materiali i plotë do të depozitohet në SPAK, por sot kam disa pyetje publike të cilave SPAK do duhet ti japë përgjigje:
A është ky krim intelektual kaq i vështirë për tu faktuar?
A është skemë pastrimi parash që të marrësh me letra një tokë në vlerën 320.000 euro, dhe vetëm për 60 ditë ta rivlerësosh 26 milionë euro, dhe me këtë tokë të marrë një kompani anonime liçensë kazinoje mu në zemër të Tiranës?
Si mundet që një shtetas Venezuelan, të regjistrojë një kompani offshore, më pas të vijë e të blejë aksionet e kompanisë GLG në Shqipëri, të blejë edhe një tokë me para borxh, të kontaktojë me ALB-STAR për ti blerë aksionet e kazinosë? Të gjitha këto veprime brenda pak muajve.
A ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri ky shtetas?
Kush e informoi këtë venezuelian çudibërës që shtetasi Gert Lumani po shiste aksionet?
Kush është emri që mund të urdhërojë, AMLF, Autoritetin e Konkurencës, Pastrimin e Parave, Komitetin e Investimeve Strategjike, ti shërbejë kësaj skeme kriminale?
Përgjigjet janë të qarta, për ne dhe shqiptarët që vidhen përditë nga Edi Rama, por tashmë duhet të mbajnë në kurriz dhe aferat e Olsi Ramës, kamufluar pas miqve të tij të ngushtë.”- tha Berisha./ZËRI