Politikë

"Si t'i thoja jo?" Rama rrëfen për “Channel 4”: Ja si u takova me çiftin Kushner-Trump...Protestat? Janë fantastike!

Në një intervistë për rrjetin britanik Channel 4, Rama tha se është njohur me çiftin në vitin 2020, gjatë një ndalese të një jahti në Shqipëri.

zh.ll
"Si t'i thoja jo?" Rama rrëfen për “Channel
foto ilustrim: edi rama-jared kushner dhe ivanka trump

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zbuluar për herë të parë detaje nga njohja me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, si dhe interesimin e tyre për investime në Shqipëri, konkretisht në zonën e Zvërnecit dhe ishullin e Sazanit.

Në një intervistë për rrjetin britanik Channel 4, Rama tha se është njohur me çiftin në vitin 2020, gjatë një ndalese të një jahti në Shqipëri. Por, interesimi për investime ka nisur më vonë, në Davos. Sipas kreu të qeverisë shqiptare, Kushner i ka shprehur interesin për mundësitë e investimit në vend.

“Unë isha i ftuar t’i bashkohesha disa njerëzve, në një jaht, që ndaloi në Shqipëri, për t’u mbushur me karburant, dhe që të shkonte në Mal të Zi. Isha i ftuar dhe shkova. U njoha me Jared dhe Ivanka. Nuk e di nëse kishin dëgjuar më parë për Shqipërinë, por mund t’ju them me bindje se nuk ishin të interesuar për asgjë për Shqipërinë në termat e interesit direkt, ishin të interesuar për historinë, ku ishin. E para. E dyta, kur ndodhi, disa muaj më vonë në Davos, dhe Kushner shprehu interes për mundësitë për të investuar në Shqipëri. Dhe sigurisht që i thashë po. Si do t’i thoja jo? Është gjëja më normale për mua”, tha kryeministri.

Sa i takon projekteve në Sazan dhe Zvërnec, Rama deklaroi se ende nuk ka një projekt përfundimtar dhe se pamjet e publikuara online kanë qenë vetëm një material prezantues. Ai shtoi se qeveria po kryen vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe se synimi është që projekti të rigjenerojë zonën, jo ta dëmtojë atë.

“Kjo do të jetë një nga gjërat më fantastike për Europën për një kohë shumë të gjatë. Nuk i kanë ndodhur shumë gjëra fantastike Europës prej një kohe tashmë. Sepse do të jetë çfarë gabimisht njerëzit imagjinojnë. Jo çfarë imagjinoni ju. Çfarë u hodh në Instagram ishte thjesht një klip. Projekti ka evoluar. Procesi ka evoluar. Tani janë përfshirë arkitektët më të mirë, dizajnerë peizazhesh që janë të famshëm për ligatina. Në të njëjtën kohë, po bëjmë vlerësimin e ndikimit mjedisor, të pavarur nga ata. Kështu që, projekti nuk brutalizon një vend të bukur. Qëllimi është të rigjenerojë atë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqitpare, përsëriti sërish se projekti do të jetë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian, duke thënë se shqetësimet e Komisionit Europian janë normale gjatë procesit të integrimit.

“Është mirë, shumë mirë që KE është i shqetësuar, s’mund të jetë ndryshe. Dhe ne po negociojmë që të bëhemi anëtarë të BE-së. Thjesht ideja që ne do të shkojmë në një drejtim me një projekt apo çdo projekt në drejtim tjetër që bie ndesh me direktivat e BE-së, është absurd. Nuk jam i lënduar nga komentet për projektin, çdo gjë është personale. Por s’jam personale. Për mua kjo protestë, e qershorit, jo tani, është konfirmimi se vendi është në një nivel tjetër, dhe një pasqyrë se çfarë duhet për të reflektuar”, shtoi kreu i qeverisë.

Mes të tjerash, kryeministri Rama foli edhe në lidhje me protestat që po vijojnë prej dy muajsh tashmë në Tiranë. Rama foli për reflektimin e qeverisë, ndërsa kujtoi se vetëm 15 vite më parë shqiptarët, kur protestonin paqësisht, vriteshin me plumba nga shteti.

Pyetje: Protestuesit kanë dalë çdo mbrëmje për gati 60 ditë. Si ndiheni që për natë pas nate keni protestues përpara zyrës suaj?

Edi Rama: Është diçka e mrekullueshme për vendin dhe për shoqërinë, sepse në të njëjtin bulevard – jo shumë kohë më parë, rreth 15 vite më parë – njerëzit vriteshin me plumba të vërtetë ndërsa protestonin në mënyrë paqësore. Kam reflektuar gjatë mbi këtë protestë dhe kam kuptuar se për njerëzit – dhe me të drejtë – nuk bëhet fjalë thjesht për faktet; janë pritshmëritë më të larta ato që i nxjerrin njerëzit në rrugë. Kjo është e mrekullueshme – prandaj thashë se është fantastike – dhe unë i kuptoj ata.

Intervista vjen në një moment kur protestat kundër investimeve kanë hyrë në muajin e dytë, ndërsa kërkesa kryesore e qytetarëve dhe aktivistëve është tashmë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama./ZËRI

Poll

MOS HUMB